SHBA: Departamenti i Drejtësisë do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë që të ndalojë ligjin e Teksasit për abortin

schedule21:21 - 15 Tetor, 2021

schedule 21:21 - 15 Tetor, 2021

Administrata e Presidentit Joe Biden tha të premten se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në një përpjekje tjetër për të frenuar një ligj që miratoi shteti i Teksasit në shtator i cili ndalon shumicën e aborteve.

Administrata e ndërmerr këtë hap pasi klinikat e Teksasit po mbeten pa alternativa për të ndaluar ligjin e iniciuar nga republikanët që ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzanisë. Ai është ligji më i ashpër kundër abortit në Shtetet e Bashkuara që prej 50 vjetësh.

Goditja e fundit erdhi të enjten në mbrëmje kur një gjykatë federale e apelit në New Orleans, me një vendim 2-1, për herë të tretë brenda disa javëve lejoi që kufizimet të qëndrojnë në fuqi.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë Anthony Coley tha se qeveria federale tani do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë që ta ndryshojë atë vendim, por nuk tha se kur.

Mbështetësit e të drejtave të abortit i kishin kërkuar me ngulm administratës së presidentit Biden që t’i drejtohej Gjykatës së Lartë. Gjykata kishte lejuar që kufizimet të hynin në fuqi, por e kishte bërë këtë pa u shprehur për kushtetueshmërinë e ligjit.

Që kur ligji hyri në fuqi më 1 shtator, gratë e Teksasit kanë shkuar në klinika aborti në shtetet fqinje, disa herë duke udhëtuar me orë të tëra me makinë deri në mes të natës. Ligji nuk bën përjashtim për rastet e përdhunimit ose incestit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit e quajti vendimin e së enjtes mbrëma nga Gjykata e 5 -të e Apelit e Shteteve të Bashkuara një “dëshmi se ne kemi marrë vendimin e duhur.”

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland e ka quajtur ligjin e Teksasit “antikushtetues” dhe ka paralajmëruar se ai mund të bëhet model për shtete të tjera nëse nuk rrëzohet./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!