Sajonte historitë, në telashe gazetari i “Der Spiegel”

schedule10:36 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 10:36 - 26 Dhjetor, 2018

Ambiciet për sukses do t’i kushtojnë shtrenjtë një gazetari të prestigjozes gjermane “Der Spiegel”. Pasi bënte për vete audiencën, 33-vjeçari u kërkonte lexuesve donacione për artikuj të tjerë, të cilët i shpikte pasi kishte marrë paratë.

Një gazetar gjerman i fiksuar pas suksesit dhe fitues i çmimeve të shumta ndër vite tani po përballet me drejtësinë, pasi akuzohet për përvetësim të ardhurash nga lexuesit e tij. Ka qenë vetë media për të cilën ai punonte, revista “Der Spiegel”, që ka denoncuar tek autoritetet Klas Relotius, i cili u kërkonte para lexuesve me argumentin se do të bënte një artikull për fëmijët sirianë të mbetur jetimë nga lufta.

E përjavshmja gjermane ka deklaruar se, jo vetëm që reporteri 33-vjeçar ka sajuar historitë e tij, por ka përfituar donacione në llogarinë bankare personale. Megjithatë, “Der Spiegel” ka nënvizuar se asokohe nuk ishte në dijeni të shkeljeve që Relotius bënte dhe për shumat që përfitonte. Lajmi për të cilin gazetari akuzohet se ka shpikur u publikua në korrik të vitit 2016 dhe tregonte historinë e fëmijëve sirianë dhe jetën e vështirë në rrugët e Turqisë.

Një fotograf turk që punonte me 33-vjeçarin ka deklaruar se shumë pjesë të artikullit ishin trillime të imagjinatës së autorit. Detajet e bëmave të tij u zbuluan javën e kaluar, pasi Relotius dha dorëheqjen nga “Der Spiegel” pas 7 vjet punë. Përpara punëdhënësve ai pranoi se kishte sajuar shumicën e historive të tij dhe rrëfeu se një gjë të tillë e kishte bërë nga ambicja për sukses dhe frika e dështimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!