Lista Serbe është partia e vetme serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet e vendit merr pjesë me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Që nga formimi i saj në vitin 2013, ajo ka fituar mbi 90 për qind të votave, drejton të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe, i ka të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, si dhe merr pjesë në qeveri.
Shumë zyrtarë të Listës Serbe kanë vende pune në sistemet e Kosovës, por edhe të Serbisë, kështu që marrin paga të dyfishta.
Pas zgjedhjeve të fundit lokale në vitin 2017, misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian konfirmoi raste të pengimit, kanosjes dhe dhunës të drejtuara ndaj votuesve dhe kandidatëve të partive tjera serbe, në mjediset ku jeton popullata serbe.
Zgjedhjet e rregullta lokale në Kosovë do të mbahen të dielën, më 17 tetor.
Konkurset për banesa gjatë fushatës parazgjedhore
Kandidati për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut është Millan Radojeviq, i cili aktualisht është në atë funksion, por edhe në funksionin e drejtorit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Aftësisë së Kufizuar, institucion ky në kudër të sistemit të Serbisë.
Alleksandar Spiriq, kandidat për këshilltar në Komunën e Mitrovicës së Veriut, tha në tubimin parazgjedhor, më 11 tetor, se autoritetet lokale do të krijojnë kushte më të mira, për çiftet e reja të martuara, në periudhën e ardhshme. Ai theksoi se deri më tash janë ndërtuar shtatë njësi banimi për ta dhe se “së shpejti do të shpallet konkursi”.
“Në ditët në vijim, ne do të fillojmë me ndërtimin e dy ndërtesave të tjera dhe kjo tregon vendosmërinë e të gjithëve për të luftuar së bashku dhe në harmoni, si dhe për të treguar unitet në zgjedhjet e ardhshme”, tha Spiriq.
Konkursi u shpall vetëm disa orë më pas. Këtë konkurs e shpalli i ashtuquajturiorgan i përkohshëm i Mitrovicës, që operon sipas sistemin të Serbisë dhe që nga autoritetet e Kosovës konsiderohet si institucion paralel. Në krye të këtij organi është pikërisht Alleksandar Spiriq.
Këto njësi banimi në Mitrovicën e Veriut, që është një nga katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, janë ndërtuar me fonde nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.
Në tubimin parazgjedhor në Mitrovicën e Veriut, po ashtu më 11 tetor, nënkryetari i Listës Serbe dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq, tha se “uniteti i popullit serb është i shprehur përmes Listës Serbe”.
“Renovimi dhe rindërtimi i këtyre projekteve u realizua në bashkëpunim me ministrin Goran Rakiq (kryetar i Listës Serbe dhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës). Është e vetmja ministri që ofron mbështetje për komunat serbe në Kosovë dhe kjo është e rëndësishme të theksohet”, tha Simiq.
Dy ditë më vonë, më 13 tetor, konkursi për shpërndarjen e 35 njësive të banimit u shpall nga organi i përkohshëm i Komunës së Zveçanit, i cili punon në sistemin e Serbisë dhe drejtohet nga Ivan Todosijeviq. Todosijeviq është deputet në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari aktual i Komunës së Zveçanit është Vuçina Jankoviq, i cili është gjithashtu anëtar i organit të përkohshëm komunal në sistemin serb, ndërkaq kandidat për kryetar të komunës është Dragisha Milloviq, i cili aktualisht është zëvendësdrejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut.
Konkurse për banesa janë shpallur edhe në Komunën e Graçanicës, po ashtu komunë e banuar me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës.
cEdhe pse ndërtesat e banimit për çiftet e reja të sapomartuara, për personat që i takojnë kategorisë së rrezikuar shoqërore dhe për të zhvendosurit, përfunduan afërsisht në fund të vitit 2019, autoritetet lokale në Graçanicë, të udhëhequra nga Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe, më 1 tetor të vitit 2021, shpallën “thirrje publike për strehim banesor”.
Konkurset për vende pune gjatë fushatës parazgjedhore
Komuna e Zveçanit, më 12 tetor ka shpallur konkurs për pranimin e 11 infermiereve dhe teknikëve mjekësorë.
Institucionet shëndetësore në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, funksionojnë sipas sistemit të Serbisë dhe ata që vendin e punës e marrin përmes komunave të Kosovës, punësohen në institucionet serbe, ndërkaq pagat i marrin nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Edhe kandidatja për kryetare të Komunës së Graçanicës, Lilana Shubariq nga Lista Serbe, në tubimin parazgjedhor të 6 tetorit, njoftoi gjithashtu hapjen e vendeve të reja të punës, në kuadër të “planit për mbijetesën dhe qëndrimin e të rinjve”.
“Tani konkurset e reja janë në fuqi, të cilat ofrojnë edhe vende të reja pune. Përveç sistemeve shëndetësore, përveç punonjësve shëndetësorë, u pranuan edhe njerëz të profileve të tjera”, tha Shubariq.
Ku sheh parregullsi opozita?
Ndryshe nga vitet e kaluara, kësaj here kandidatët e Listës Serbe kanë konkurrencë pothuajse në të gjitha komunat. Fushata e tyre është përqendruar kryesisht në parregullsitë, të cilat, siç pretendojnë ata, po ndodhin.
Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, në fushatën e tij, të cilën ai e drejtoi kryesisht përmes rrjeteve sociale, foli për nevojën e heqjes së “pagave të dyfishta”.
“Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është t’i pastrojmë hesapet me të ardhurat e dyfishta. Unë personalisht nuk kam marr kurrë pagë të dyfishtë, por të tjerët e kanë marrë. Kjo është diçka që po e gërryen popullin tonë ”, tha Stojanoviq.
Ai është një ish-anëtar i Listës Serbe, dhe në kuadër të saj ishte zgjedhur zëvendëskryeministër i Kosovës në vitin 2014.
Por, Stojanoviq vendosi që në zgjedhjet lokale këtë herë të kandidojë si i pavarur për kryetar të Komunës së Graçanicës, sepse ishte i pakënaqur me vendimin e Listës Serbe për të propozuar Lilana Shubariqin për kryetare të kësaj komune.
Ai gjithashtu pohoi se Radomir Llaban, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, po ndërhyn në politikën e Listës Serbe, të cilën Serbia, nga ana tjetër, po e kërkon për vuajtje të dënimit me burg.
Në Serbi, në vitin 2011, Llaban u dënua me gjashtë vjet burg për pranimin dhe dhënien e ryshfetit.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, ka ditë që flet për presionet dhe kërcënimet që pretendohet se po i marrin përkrahësit e tij. Ai nuk i raportoi këto pretendime tek autoritetet, por vendosi që t’i ndante ato me publikun, përmes rrjeteve sociale.
Në një nga postimet në llogarinë e tij në Facebook, ai tha se ka marrë një numër të madh telefonatash, përmes të cilave e kanë informuar dhe i janë ankuar se “disa bashkëqytetarëve të caktuar po u hiqeshin pagat”.
“Juve njerëz, ju faleminderit që më zgjodhët si përfaqësuesin tuaj. Vetëm shkoni përpara dhe jini të guximshëm!”, ka shkruar Mirkoviq.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai tha që “dikush po përpiqet t’i frikësojë qytetarët e Kllokotit”, në mënyrë që të mos i japin atij mbështetje në zgjedhjet lokale.
“Kam pasur thirrje të caktuara nga disa nga qytetarët tanë të cilët kanë pasur humbje lidhur me të ardhurat e tyre personale. Konkretisht, atyre u janë hequr pagat. Por, ata janë njerëz të guximshëm dhe do të qëndrojnë… e rëndësishme është që populli e ka vënë re situatën e vërtetë në terren dhe se ndryshimet janë të domosdoshme”, tha Mirkoviq.
A janë të barabarta mundësitë për garën zgjedhore?
Miodrag Milliçeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, konsideron se nuk do të ketë befasi në zgjedhjet e ardhshme lokale, kur bëhet fjalë për komunat e banuara me shumicë serbe.
Ai thekson në çdo zgjedhje “kemi një situatë identike që përsëritet dhe që është përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime parazgjedhore”.
“Ka ndarje të banesave dhe përfitime të ndryshme të tjera që mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve. Jam i sigurt se edhe në këtë rast, nuk do të ketë asnjë ndryshim në lidhje me zgjedhjet e mëparshme. Madje edhe laikët e dinë që kjo nuk është një garë e barabartë dhe këtu nuk mund të bëni kush e di se çfarë. Kështu që ne nuk mund të flasim për barazi të kandidatëve”, tha Milliçeviq.
Rreth ndryshimeve të mundshme
Dushan Janjiq, nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, konsideron që në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, tashmë është vendosur se kush do të jetë në krye të pushtetit lokal në katër vjetët e ardhshme, gjegjësisht që këto komuna do të jenë përsëri në duart e Listës Serbe.
Sipas vlerësimit të tij, në mesin e serbëve në Kosovë, sundon sistemi njëpartiak, që siç thotë ai, është “shumë i keq dhe prandaj nuk ka shpresë”.
Ai rikujton incidentet që ndodhën në vitin 2013 në veri të Kosovës, kur zgjedhjet lokale në atë rajon u mbajtën për herë të parë sipas sistemit të Kosovës. Asokohe, në Mitrovicën e Veriut, votimi u anulua për shkak të parregullsive.
Janjiq konsideron që incidentet u shkaktuan qëllimisht në atë kohë, në mënyrë që Olliver Ivanoviq, udhëheqësi i Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia, të mos fitonte.
“Ata hynë dhe thyen rreth 20 kuti, ndërkaq që bashkësia ndërkombëtare ndaloi shpejt numërimin në të gjitha komunat në veri. Pra, që nga fillimi, ne nuk kemi zgjedhje të rregullta lokale apo parlamentare në veri të Kosovës. Ndërkaq këto të tanishmet do të jenë të njëjta me të parat. Kjo nuk është mirë”, vlerëson Janjiq.
Zgjedhjet dhe vrasjet
Olliver Ivanoviq u vra në janar të vitit 2018, vetëm disa muaj pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Olliver Ivanoviq”.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, katër kandidatë u tërhoqën nga lista e tij për shkak të frikësimit, ndërkaq personalisht Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicën e Veriut.
Asokohe, me 1,051 vota, ai fitoi një ulëse për asamblist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Në nëntor të vitit 2013, Ivanoviq ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut dhe pastaj sërish në fillim të vitit 2014, sepse zgjedhjet për atë komunë u përsëritën.
Në të njëjtën ditë (16 janar) kur u vra Olliver Ivanoviq, por vetëm katër vjet më parë (2014), në Mitrovicën e Veriut u vra Dimitrije Janiçijeviq, i cila në zgjedhjet lokale të vitit 2013, mori pjesë në zgjedhje si kandidat i Partisë së Pavarur Liberale. As kjo vrasje nuk mori epilog gjyqësor.
Ato ishin zgjedhjet e para lokale që u organizuan sipas sistemit të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës./REL