Kristina Kosta, mjeke Obsteter-gjinekologe në “Spitalin Hygeia” theksoi se Pap testi duhet të kryhet të paktën një herë në vit, sidomos pas fillimit të aktivitetit seksual, pavarësisht moshës. E ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me gazetarët Enkel Demi dhe Sibora Bitri, mjekja rekomandoi kryerjen e Pap testit nga mosha 20 deri në 70-vjeç.
“Pap testi është një ekzaminim për të parandaluar po është se jep një diagnozë. I bie “ziles” se duhet të kontrollohesh më tepër. Rekomandohet tek gratë dhe vajzat rreth moshës 20 vjeç, kryesisht një ose dy vite pas fillimit të aktivitetit seksual deri në moshën 70 vjeç. Duhet të bëhen një herë në vit, nëse janë tre pap teste vjetore që janë normal, mund të kryhen një herë në dy apo tre vite.”, tha mjekja.
Dr. Kristina theksoi më tej se Pap testi ka ndihmuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe sipas saj, vdekshmëria është ulur me 90 përqind. A është i domosdoshëm për të gjitha gratë? Mjekja tha se është e rëndësishme për të gjitha si pjesë e kujdesit të tyre shëndetësor rutinë. Ajo shtoi se dhe gratë që janë në menopauzë kanë nevojë për testime të rregullta. /abcnews.al