Investime të mangëta në fushën e kërkimit shkencor për bujqësinë

schedule19:48 - 11 Tetor, 2021

schedule 19:48 - 11 Tetor, 2021

Qendra e Transferimit të Teknologjive në Shkodër është ajo çfarë ka mbetur nga Instituti i Misrit dhe Orizit, një nga 18 qendrat e kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë në Shqipëri deri në vitin 1990.

Specialisti Zef Gjetja, autor i librit “Instituti i Misrit dhe Orizit”, promovuar në 50 vjetorin e krijimit të këtëij instituti, thotë se transformimi i tij dëshmon edhe për nivelin e ulët të investimeve, realizuar vitet e fundit në Shqipëri në drejtim të kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë.

“Situata, për fatin e keq, nuk është edhe aq e mirë për arsye se; së pari ka ndryshuar emri dhe së dyti ka ndryshuar destinacioni. Sot nuk paguhen më para për kërkimin shkencor dhe bëhet punë divulgative, më shumë shërbim ekstencioni dhe quhet Qendra e Transferimit të Teknologjive”, thotë specialisti Zef Gjetja​.

Sipas tij, për rrethanat e zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri, është e nevojshme mbështetja me investime e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Shkodër.

“Do të thoja se nuk është i nevojshëm, është i domosdoshëm. Sepse, nuk mund të kuptohet as derri, as pula, as gjedhi, as bagëtitë e imta pa koncentratin. Dhe koncentrat më të mirë se misri nuk ka, pa të keqen që vazhdon të përdoret në kuzhinën shqiptare, qoftë për bukë, qoftë për gatime të ndryshme. Pra, është një domosdoshmëri. Sot j’a kemi lënë spontanitetit, përdorim farëra të ardhura ngado, jo me kontrollin e duhur dhe, për pasojë, ai që e pëson është fermeri dhe konsumatori. Fermeri se nuk marr të ardhurat e duhura dhe konsumatori se nuk merr cilësinë e duhur”, thotë ai.

50 vite më parë, Instituti i Misrit dhe Orizit kishte një bazë eksperimentale prej 700 hektarësh, të shpërndarë në të gjithë vendin, nga të cilët vetëm 10 hektarë i kanë mbetur sot Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Shkodër.

Drejtuesi i qendrës, Kostandin Hajkola, thotë se me rritjen e prodhimit blegtorat dhe krijimin e fermave të mëdha të gjedhit, Shqipëria ka nevojë të zgjerojë më shumë sipërfaqen e mbjellë me misër.

“Problemet me bimën e misrit janë të mëdha pasi, edhe po të shikojmë tregun e drithërave, misri ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme të çmimit, gjë që favorizon fermerët, por natyrisht penalizon produktet që vijnë nga misri, sikurse është prodhimi i qumështit, mishit apo i vezëve. Natyrisht, këto do të reflektojnë edhe në çmime, por Shqipëria ka nevojë të prodhojë shumë më tepër misër se sa prodhon sot. Aktualishit, ne importojmë rreth 1/3 e e nevojave për misër”, thotë zoti Hajkola.

Profesor Hajkola thotë se kërkohen më shumë invesitme, sidomos për prodhimin e farërave të përshtatshme të misrit me qëllim që të mbeshtetet prodhimi vendas.

Për këtë kërkohet më shumë vemendje dhe investime në sektorin e kërkimit shkencor për Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Shkodër, e cila ka trashëguar edhe përvojën dhe programet e Institutit të njohur të Misrit dhe Orizit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!