Rrjedhja e lavës nga një vullkan aktiv në ishullin spanjoll La Palma, në brigjet veriperëndimore të Afrikës, po vazhdon pa asnjë shenjë ndërprerjeje, që nga shpërthimi me 19 shtator të muajit të kaluar.
Autoritetet spanjolle thanë të dielën se një rrjedhje e re shkëmbinjsh të shkrirë nga vargmali Cumbre Vieja ka shtuar shkatërrimet e më shumë se 1,100 shtëpive dhe ndërtesave industriale, si dhe fermave në zonën kryesisht bujqësore.
Burimet qeveritare thonë se rrjedha e lavës ka shkuar deri në 1.5 kilometra në pikën e saj më të gjerë dhe ka krijuar një sipërfaqe prej afro 34 hektarë në zonën ku lava derdhet në oqeanin Atlantik.
Shpërthimi fillestar detyroi evakuimin e më shumë se 6,000 personave nga afro 85 mijë banorë që ka La Palma. Banorët po qëndrojnë brenda perimetrit të sigurisë të krijuar nga autoritetet.
Vullkani në La Palma shpërtheu për herë të fundit 50 vite më parë dhe zgjati pak më shumë se tre javë. Ishulli është pjesë e arkipelagut të ishujve Kanarie në brigjet veriperëndimore të Afrikës./VOA