Tre vjet më parë, gazetari saudit Jamal Khashoggi hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument për gjendjen e tij civile, por ai nuk doli kurrë nga konsullata.
Miqtë dhe admiruesit e tij mbajtën një ceremoni përkujtimore në Uashington javën e kaluar.
E fejuara e tij, Hatice Cengiz, zbuloi një portret të gazetarit Khashoggi të krijuar me shkrimet e tij në gazetën Washington Post. Zonja Cengiz ka fajësuar Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman për dhënien e urdhërit për vrasjes brutale dhe copëtimin e trupit të Khashoggit në konsullatë.
“Mohammed bin Salman e mori Jamalin nga unë dhe e gjithë bota. A do ta mbani atë përgjegjës, apo do t’i shpërbleni këta vrasës?”, tha ajo.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se vrasja e planifikuar dhe e orkestruar e Khashoggit nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e princit të kurorës saudite. Princi i kurorës Salman i ka mohuar akuzat për përfshirje në organizimin e vrasjes.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, kandidati i atëhershëm Joe Biden i kritikoi lidhjet e ngusha të administratës Trump me princin saudit dhe u zotua ta mbante atë larg.
“Biden e tha shumë qartë se do ta mbante larg regjimin saudit dhe ka bërë të kundërtën. Ai po ruan statu-kuonë, duke bërë më pak përqafime sipërfaqësore publike se sa ish-Presidenti Trump. Por ai në thelb po kthehet në statu-kuonë e para mandatit të zotit Trump, duke përqafuar regjimin saudit, jo në publik, por, ai ka dhënë mbështetje të plotë për transaksionet dhe shitjet e armëve”, thotë analisti Stephen McInerney nga Projekti për Demokracinë në Lindjen e Mesme.
Duke ndjekur një qasje më të ndryshme se paraardhësi i tij, Presidenti Joe Biden ka thënë se ai nuk do të merret drejtpërdrejt me princin e kurorës.
Por ai dërgoi këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, për t’u takuar me Princin në Riad javën e kaluar, thotë analisti Peter Juul.
“Bazuar në raportet që kam parë,këshilltari i sigurisë kombëtare (Jake) Sullivan ka përmendur vrasjen (e Khashoggit) në takimin e tij me Princin e Kurorës dhe princi ishte mërzitur që ai nuk mori mbështetjen që mendon se meriton për reformat, që ai ka ndërmarrë. Kështu që, unë mendoj se ka një lloj ngërçi në lidhje më këtë”.
Analisti Peter Juul thotë se Khashoggi ishte një person me ndikim në Arabinë Saudite dhe se ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite, para se të bëhej gjithnjë e më kritik ndaj princit të kurorës për shtypjen e tij të pamëshirshme të disidentëve në vend.
Organizatorët e ceremonisë përkujtimore në Uashington thanë se mënyra më e mirë për të nderuar Khashoggin dhe të tjerët, që po bëjnë rezistencë ndaj autokratëve, është mbajtja përgjegjës e atyre që urdhëruan vrasjen./ VOA