Protesta për çmimet, Nazarko krahason Flor Binajn me komedianin që u bë president në Ukrainë

schedule20:09 - 7 Tetor, 2021

schedule 20:09 - 7 Tetor, 2021

Nga rritja e çmimeve, protesta, dhe debatet në parlament mes opozitës dhe maxhorancës. Për të “skanuar” të gjitha këtu zhvillime në “Radarin Informativ” me gazetaren Jonida Shehu ishte i ftuar analisti Mentor Nazarko. Diskursin e Bashës ai e cilësoi të ndryshëm nga atë të Berishës, duke theksuar se ky i fundit do të përdorte emra dhe do cekte edhe familjarët e tyre.

“Fokusimi tek oligarkët, është term i përdorur nga opozita. Këtu Basha dallon nga Berisha sepse Berisha do vinte gishtin në emra dhe në familjarët e tyre”, u shpreh Nazarko.

Ai tha se debati në parlament po sfumon “Foltoren” e Berishës, megjithatë kritikoi diskursin e Bashës, cili ndryshon nga ai i vitit 2004 duke kaluar në fyerje për gratë në parlament. “Unë dua të besoj që kjo fazë e re e të bërit opozitë nga zoti Basha, nënkupton dhe cilësi të re të ideve, dhe ekspertizave që i ofrohet atij. Vura re me gjithë prirjen e Bashës për të ruajtur fokusin, vura re varfërinë te ligjërimi. Duke parë me simpati Bashën që në 2004, unë pres që ai ta “qethë”, këtë komunikim i cili fyen gratë. Kam parasysh Bashën e vitit 2004 që ishte i orientuar nga e ardhmja.

Foltorja me aktivizimin e parlamentit e humb rëndësinë e saj si element. Foltorja e ka energjizuar mendimin politik. Basha po mendon për gabimet e veta dhe ato që duhet të korrigjojë. Bashën e ka vendosur në pozita pune. Një makineri e fuqishme si Rama, nuk përballet. Duhet të kesh dy ekipe të mëdha. Basha nuk shquhet ose të paktën nuk e reflekton. Rama e ka arritur atë sukses edhe në pikturimin e rivalit të tij politik me ngjyrat e dembelit.  Kjo është pikëpyetja më e madhe që nuk duhet të shqetësojë vetëm politikën”, u shpreh ai.

Në lidhje me rritjen e çmimeve, Nazarko deklaroi se qeveria nuk ka arritur të ndryshojë modelin ekonomik në këto 8 vite duke nënvizuar se ekonomia në vend është mbi 90% e privatizuar.

“8 vite janë mjaft që të ndryshosh kahun e anijes ekonomike. Kjo qeveri ka dështuar që të ndryshojë modelin ekonomik. Pse ikin qytetarët nga vendi? Sepse pagat janë të ulëta, dhe çmimet po rriten. Jemi një ekonomi e privatizuar mbi 90%, shteti është porositësi. Është paradoksale që një qeverisje e majtë të ketë krijuar një prirje që paraja të shkojë te një grusht njerëzish dhe të varfërohet pjesa më e madhe e popullsisë.

Kriza me të cilën ne po përballemi, mendohet se do të jetë e kufizuar në kohë në ndikimet e veta. Ka një natyrë globale që lidhet me faktin që industritë perëndimore kanë vendosur mekanizmat e saj në Kinë. Ndikimi i Rusisë gjithashtu. Ka dhe komponent të brendshëm që lidhet me faktin që ekonomia lidhet me një grup njerëzish dhe goditja e tyre do të dëmtonte bankat”, tha Nazarko.

Protestën, Nazarko e sheh me nota pozitive, duke portretizuar edhe një prej figurave kryesore të saj Flor Binaj si një kryeministër të denjë, teksa e paralelizoi me presidentin e sotëm të Ukrainës i cili dikur ishte komedian dhe imitonte presidentin e vendit.

“E pashë me simpati protestën e djeshme. Gati gati po mendoja për skenarin ukrainas. Protestat qytetare mund të ushtrojnë një ndikim më të madh. Kur u shfaqën deputetët e opozitës u dekurajova pak. Pashë një opinionist si Pano Soko që ka një emision që merret me problemet reale të vendit. Është shumë ndikues. Pashë Flor Binajn.

Pse thashë skenarin ukrainas. Sot Ukraina ka një president që ka qenë komedian. Ishte dikush që imitonte presidentin dhe u bë vetë president. Binaj imiton Ramën dhe nesër mund të bëhet nesër kryeministër. Vendi ka nevojë për lëvizje të tilla. Këto lëvizje diskreditojnë opozitën politike”, u shpreh ai. Për shembull protesta e studentëve shfaqi figura të reja. Arriti të gjente një emërues të përbashkët.  Një figurë si Binaj mund të ndikojë nëse mbështet nga grupe. Unë shoh shkëndija”, deklaroi ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!