Barazim spektakolar në Vlorë në ndeshjen e dy skuadrave më të forta të kampionatit. Skënderbeu tregon karakter duke shmangur humbjen pikërisht në fund ndaj Flamurtarit.
Fituesit dallohen në fund.
Skënderbeu i mbijetoi sfidës më të vështirë të deritanishme në Superligë duke barazuar në fushën e Flamurtarit.
Favoritët e titullit goditën pikërisht në momentet përmbyllëse në stadiumin e Vlorës duke marrë një rezultat më shumë se të merituar 1-1.
Përballoi skuadrën e dytë më të mirë të kampionatit, pas vetë atij, përballoi edhe dizavantazhin e pësuar në pjesën e parë dhe hodhi një tjetër hap drejt atij objektivi që është ende larg, por që duket sikur është i arritur, titullit kampion.
Në të vërtetë, pjesa e parë më e mirë për Flamurtarin.
Nën drejtimin e trajnerit Duro janë lënë pas çoroditjet e tre viteve të fundit dhe është krijuar një formacion i vërtetë futbolli.
Vlonjatët meritojnë patjetër të jenë në Europë edicionin e ardhshëm.
Gjithsesi, fitorja ndaj kryesuesve ishte një kërkesë shumë e madhe për mundësitë e tyre sot për sot.
Skënderbeu reagoi pas pushimit, duke qenë zot i fushës, dhe duke krijuar mjaft raste për shënim.
Kryesuesit e kampionatit patën katër mungesa, më e fundit ajo e Lilajt që u lëndua në ndeshjen e kombëtares në Turqi, veçse ato sikur nuk u ndjenë në pjesën e dytë.
Taku, Radash, Soue apo Muzaka ishin radhazi para portës së Nurkoviçit, sërish në formë të madhe.
Edhe Flamurtari nuk është se nuk krijoi në 45 minutat e dyta, por u pa qartë se nuk kishte mentalitetin për të përballuar për 90 minuta ekipin më të mirë të Superligës.
Në fund fare, Skënderbeu edhe mund ta kishte fituar ndeshjen.
Një përballje shumë e bukur u dallua edhe për ato që ndodhën jashtë futbollit.
Në minutën e 48-të, tifozët vendas ngacmuan miqtë duke nxjerrë banderolën ku shkruhej: “Historinë që bëjnë djemtë e Vlorës, nuk e bëjnë dot lepujt e dëborës”.
Pak minuta para fundit, një episod i shëmtuar, pasi disa tifozë goditën ndihmës arbitrin me shishe plastike./abcnews.al