Veliaj në Japoni merr mbështetjen për zbatimin e disa projekteve

schedule14:02 - 20 Dhjetor, 2018

schedule 14:02 - 20 Dhjetor, 2018

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë vizitës së tij në Japoni ka marrë mbështetjen e qeverisë japoneze për financimin e projektit të menaxhimit të ujërave të zeza, si dhe ka dhënë një lajm të mirë për shtetasit shqiptarë që shumë shpejt mund të lëvizin pa viza drejt Japonisë.

Në vijim të vizitës së tij në Japoni, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me kreun e Agjencisë Japoneze të Zhvillimit, nga i cili mori garancinë për financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e tyre në Tiranë.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Agjencia Japoneze e Zhvillimit do të vazhdojë me financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e filtrimit të ujërave të zeza në Tiranë. Kemi pasur disa probleme me ish-administratën e Ministrisë së Transporteve, të cilat janë në rrugën e zgjidhjes, dhe për gjithë qytetarët e Tiranës lajmi i mirë është se projekti do të vazhdojë”.

Veliaj u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë me të cilin bisedoi edhe për lëvizjen e lirë ku shumë shpejt pritet edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë.

“Më në fund kemi një Ambasadë si në Shqipëri, ashtu edhe në Japoni, do të thotë se marrëdhëniet e vendeve janë në një nivel akoma më të lartë. Një nga kërkesat tona ka qenë edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, e cila po vlerësohet”.

Gjatë vizitës në Japoni, Veliaj pati takim edhe me shtetasit shqiptarë që studiojnë dhe punojnë në Japoni, tregues ky i marrëdhënieve të mira mes vendeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!