Me tone të ashpra dhe vezë në xhep është rikthyer në parlament opozita. Kryeministri sapo ka nisur të flasë për studentët është goditur me vezë nga deputeti demokrat Endri Hasa. Paskan vrarë kohën koteceve- është reagimi i kreut të qeverisë pas këtij akti. Janë vezë të marra nga Surreli e sqaron ish kryeministri Sali Berisha. Tensioni në kuvend ka detyruar kryetari Gramoz Ruçi të kërkojë shtyrjen e seancës parlamentare për në orën 18:00.
Nuk e di ende se ç’e pret!
Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të gardës, kryeministri nuk i ka shpëtuar dot vezës që doli nga xhepi i deputetit Endri Hasa.
E ke nga studentët i ka thënë deputeti demokrat. Goditja erdhi pak pasi kreu i qeverisë po i tregonte opozitës se shumicën e 40 minutave që i kishte dhënë grupi parlamentar do t’ia falte liderit të opozitës, i rikthyer me mandate të pjekura, por jo të djegura.
“Sot më shumë se asnjëherë askush më shumë se Lulzimi s’mund tua tregojë shqiptarëve se zgjidhja e vetme është kjo shumicë, ndërsa unë do shkojë të vijoj dialogun e vështirë me studentët”.
Vendimi i mëvonshëm vjen nga Byroja e Kuvendit duke përjashtuar me 10 ditë deputetin e Partisë Demokratike Endri Hasa. Me rinisjen për herë të dytë të seancës, deputeti Hasa nuk ka pranuar të dalë nga seanca, ndërkohë që deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, janë afruar pranë foltores duke hedhur projektligjet në drejtim të kryeministrit. Seanca është mbyllur e ka tentuar të rinisë edhe dy herë të tjera me të njëjtën situatë të tensionuar duke e detyruar kryetarin Gramoz Ruçi të mbyllë punimet për paraditen e së enjtes.
“I kërkoj të lirojë sallën, është e katërta herë, procedura është e qartë. Në kushtet që nuk zbatohet vendimi i marrë, ndërpres seancën.”
Nuk përfundojnë këtu kërkesat për përjashtime. Demokratët depozituan emrin e kryeministrit me pretendimin se përdori fjalor fyes dhe denigrues ndaj grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të veçantë demokratë. Ndërsa socialistët kërkuan përjashtimin e deputetëve Flamur Noka, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri me argumentin se kanë përdorur fjalor fyes. Atë që nuk e thanë brenda parlamentit e shprehën jashtë. Si zakonisht kryeministri Edi Rama reagon në tëitter, jo një po dy statuse i dedikoi kundërshtarëve politikë.
“U djeg xhani për studentët, por seancën e kërkuar për ta e kthyen në një konflikt rrugësh, duke bllokuar me dhunë debatin që kërkuan vetë. Ky është modeli i tyre për rininë,
Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve,opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore,po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”.
Se ku i gjetën vezët dhe arsyen pse e ruajtën për kryetarin e qeverisë e sqaroi në emër të opozitës ish kryeministri Sali Berisha.
“Kartolina e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve që deputeti Hasa i dërgoi nga studentët, krye kumbaros, kreut të krimit të organizuar, kreut të korrupsionit Edvin Kristaq Rama. E vërteta është, që ta merrni vesh ju, se ato vezë vinin direkt nga Surreli.”/abcnews.al