VIDEO/ ‘Shpejtësi skëterrë e tapë në alkool’, pranga 16 shoferëve, pezullohen 89 patenta

schedule16:28 - 5 Tetor, 2021

schedule 16:28 - 5 Tetor, 2021

16 shoferë janë arrestuar në të gjithë vendin gjatë 48 orëve të fundit për shkelje të rregullave të qarkullimit, 9 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

“Në flagrancë janë arrestuar 16 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur”.

Janë pezulluar 89 leje drejtimi. Sipas policisë “60 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 27 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt”.

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2378 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Jordan Misja”, kanë goditur një rast të mitëdhënies. Drejtuesi i mjetit, shtetasi M. L., pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, u ka ofruar punonjësve të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 20 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit”, thotë policia.

Policia e Shtetit apelon “për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike”.

Kontrollet thotë policia janë kryer në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!