Pasi ka vrarë me qindra drerë në mënyrë të paligjshme, një 29 vjeçar në Misuri duhet të vuajë dënimin me një vit burg. Gjatë kohës që do qëndrojë në qeli ai do të shohë vazhdimisht filmin e Disnej “Bambi”.
Duhet të shohë në mënyrë të përsëritur filmin Disnej “Bambi” ndërsa do të vuajë një vit burg për gjueti të paligjshme. Ngjarja ka ndodhur në Misuri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku një gjuetar është dënuar në këtë mënyrë pasi kishte vrarë në mënyrë të paligjshme me qindra drerë, në atë që është cilësuar si një prej rasteve më të rënda për vrasjen e drerëve në historinë e këtij shteti. Lajmi është shpërndarë në shumë media ndërkombëtare. I dënuari Devid Beri 29 vjeç, duhet të shohë filmin një herë në muaj duke filluar që nga 23 dhjetori dhe për të gjithë ditët e tjera që do të kalojë në qeli.
29 vjeçari u dënua në kontenë e Lorens, në Misuri, pasi ka kapur dhe vrarë në mënyrë të paligjshme kafshët me qëllimin për ti kthyer në trofe. Dhe tre të afërm të tjerë të tij dhe një gjuetar tjetër janë arrestuar dhe duhet të paguajnë 51 mijë dollarë gjobë dhe shpenzimet e procesit gjyqësor. Në filmin “Bambi” të prodhuar në vitin 1942, nëna e drerit të vogël vritet nga gjuetarët. Filmi konsiderohet si një nga më prekësit të Disnej./abcnews.al