Krimi tronditi sërish Elbasanin mbrëmjen e kaluar. Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri mbetën viktima të një atentati mafioz. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në një lokal, pranë një pike karburanti. Autorët që dyshohet se ishin dy, të maskuar dhe armatosur e kanë pritur shënjestrën në një makinë “Volvo”. Në momentin që 50-vjeçari Çollaku ka ardhur pranë karburantit ka parkuar makinën dhe sapo doli për të hyrë në ambientet e lokalit së bashku me Bitrin u qëlluan me “Scorpions”. Lidhur me ngjarjen policia ka shoqëruar deri më tani 25 persona, të cilët po merren në pyetje.
11:33-Atentati i dyfishtë, Hoxha: Viktimat probleme me drejtësinë, në Elbasan veprojnë katër grupe
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me atentatin e dyfishtë që ka ndodhur një natë më parë në Elbasan ku si pasojë ka humbur jetën Lulzim Bitri Dhe Ardian Çollaku.
Hoxha nga ABC Live është shprehur se pas 5 muajsh heshtje në Elbasan po kthehet sërish ditët e trazirave mes grupeve rivale që tashmë nga dy janë shndërruar në katër grupe. Sipas tij policia nuk mund të justifikohet me faktin se viktimat kishin të kaluar kriminale.
“Elbasani po thyente rekord pozitiv, pasi po kalonin 5 muaj nga ngjarja e fundit. Atentati i fundit më 11 maj ku u ekzekutua Everst Çaka, një atentat i ngjashëm me këtë ishte një person i ardhur nga jashtë dhe atentatorët e vranë në sy të bashkëshortes. Një atentat që lidhet me konfliktet mes dy grupeve që kanë shënuar shumë viktima. U duk se ishte një qetësi, por që ngjarja e mbrëmshme tronditi sërish Elbasanin.
Kemi pasur dy grupe që janë goditur dhe nga rivalet dhe nga institucionet ligjzbatuese, duke pasur viktima dhe drejtues në burg, ku u duk sikur ishte një balancë por atentati i djeshëm na ktheu në ditët e trazuara. Nuk ka më dy grupe në Elbasan por janë bërë katër grupe, po i referohem Xhafajt kur ka përmenduar grupin Çapaj dhe Çela por ngjarja e djeshme nuk ka lidhje me këtë gjë. KÇK dhe OFL nisën nga Elbasani sepse ishte një fushatë pastrimi para zgjedhjeve. Në rastin konkret nuk ka justifikim për policinë që viktimat kanë viktima ,me të kaluar kriminale”, ka thënë ai.
Dy armë automatike janë gjetur brenda në makinën e shkrumbuar nga flakët në afërsi Balldrenit që dyshohet se u përdorën në ekzekutimin mafioz të Ardjan Çollakut dhe Lulzim Bitrit. Mësohet se armë janë të modelit kallashnikov dhe një automatik tjetër tip “Scorpions”.
10:34- U ekzekutua mbrëmë në atentatin e dyfishtë në Elbasan, kush është Lulzim Bitri
Një atentat mafioz ka ndodhur mbrëmë në Elbasan, ku si pasojë ka humbur jetën Lulzim Bitri dhe shoku i tij Ardian Ardian Çollaku . Dy viktimat janë qëlluar para një lokali në rrugën e metalurgjikut, ku duket se kishin shkuar për të konsumuar kafe.
Lulzim Bitri
Abcnews.al ka siguruar foton e Bitrit rreth 35 vjeç nga Katundi i Ri Elbasan ka ndërruar jetë në vendngjarje. Lulzim Bitri, ka qenë i dënuar me 4 muaj burg nga shteti maqedonas pasi ishte i përfshirë në një përplasje me armë në Tetovë në vitin 2018 ku një person mbeti i vrarë. Gjithashtu ai njihej si mik i Talo Çelës, i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Bitri dhe Çollaku u qëlluan rreth orës 19:00 në një lokal, pranë një pike karburanti.
08:14 – Atentati me dy viktima në Elbasan, shoqërohen 25 persona
Dy persona kanë humbur jetën një natë më parë në një atentat të zhvilluar në një lokal në një pikë karburanti në Elbasan. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se deri më tani ka shkuar në 25 numri i personave të shoqëruar. Viktimat e atentatit janë Ardjan Çollaku 50 vjeç me një të shkuar kriminale, i dënuar në Itali për trafik lëndësh narkotike, por i skeduar edhe në Shqipëri për dhunë në familje dhe Lulzim Bitri 40-vjeç, gjithashtu me precedent penal, i përfshirë në një vrasje në Tetovë tre vite më parë.
Bitri dhe Çollaku, u ekzekutuan me të paktën 15 plumba në afërsi të një karburanti në hyrje të qytetit të Elbasanit. Jo shumë metra larg vendit të krimit, në zonën e Metalurgjikut, policia gjeti një makinë tip “Volvo” duke u djegur, e cila besohet se i përket autorëve. Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjendur më shumë se 23 gëzhoja nga të cilat 2 kanë përshkuar Bitrin në kurris, ndërsa një plumb ka goditur në kokë Çollakun.
23-17-Dinamika e vrasjes së dyfishtë në Elbasan, pritë, ndjekje dhe breshëri, e shkuara e errët
Elbasani u trondit mbrëmjen e sotme nga një ekzekutim i dyfishtë me armë zjarri në dalje të qytetit, rrugës kryesore për në Tiranë. Viktimat e atentatit janë Ardjan Çollaku 50 vjeç me një të shkuar kriminale, i dënuar në Itali për trafik lëndësh narkotike, por i skeduar edhe në Shqipëri për dhunë në familje dhe Lulzim Bitri 40-vjeç, gjithashtu me precedent penal, i përfshirë në një vrasje në Tetovë tre vite më parë.
Gazetari i “ABC” Aldo Kozarja ka zbardhur kronologjinë e atentatit mafioz që mori dy jetë në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në një lokal, pranë një pike karburanti. Autorët që dyshohet se ishin dy, të maskuar dhe armatosur e kanë pritur shënjestrën (ende nuk dihet cili ishte objektiv apo të dy) të fshehur në makinë tip “Volvo” disa metra larg karburantit, por me fushëpamje të qartë, pasi si duket kishin informacion mbi lëvizjet.
Në momentin që 50-vjeçari Çollaku ka ardhur pranë karburantit ka parkuar makinën dhe sapo doli për të hyrë në ambientet e lokalit së bashku me Bitrin u qëlluan me “Scorpions”. /abcnews.al