Diego Longo mund të largohet nga Kukësi. Trajneri italian ka folur pas humbjes së djeshme kundër Teutës dhe qartazi kuptohet se ka pasur tentativa për ndërhyrje në përzgjedhjet e tij.
Mes të tjerash, në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” ai shprehet: “Presidenti nuk është i kënaqur me përzgjedhjet e mia, atëherë edhe shanset për të qëndruar janë të vogla.
E përsëris, e falënderoj atë për konfidencat dhe besimin që më dha, si edhe mundësinë që të vija këtu. Por, mendoj se për të pasur rezultate të mira dhe të mëdha duhet të punojmë së bashku gjithmonë dhe pa pasur dyshime te puna e njëri-tjetrit.
Presidenti është president dhe në çdo vend ndodh kjo, ku ka të drejtën e mendimit të tij dhe unë e respektoj. Megjithatë, unë jam trajneri dhe i shoh çdo ditë në stërvitje, i përgatis dhe e di kush është gati për të luajtur.
Në këtë moment i rëndësishëm është ekipi jo pozicioni im. Është e vështirë ta pranoj diçka të tillë pas këtij rezultati dhe kësaj ndeshjeje. Pozicioni im do të shihet orët e ardhshme. Mendoj se duhet të rregullojmë diçka dhe nëse nuk rregullohet atëherë është e vërtetë që do të lëviz”. / abcnews.al