Vrau me makinë bashkëfshatarin në Mirditë, kërkohen 18-vite burg për autorin

schedule10:08 - 4 Tetor, 2021

schedule 10:08 - 4 Tetor, 2021

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 18-vite burg të Mhill Gegës, i cili në muajin shkurt të këtij viti përplasi me dashje me makinë bashkëfshatarin e tij Mark Gjeta në fshatin Bungaj të Mirditës.

Konkluzionet përfundimtare për këtë çështje janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj dhe referuar dosjes hetimore është arritur të provohet se ngjarja ka qenë e qëllimshme, dhe ndaj autorit u ngrit akuza e vrasjes me dashje.

Nga hetimet ka rezultuar se dy bashkëfshataret kishin pasur konflikte prej dy vitesh me njëri tjetrin dhe ditën e ngjarjes janë përplasur sërish. Pas debateve 60-vjeçari Mhill Gega ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë automjetin tip “Benz” dhe përplasur për vdekje Mark Gjeten i cili lëvizte në rrugën e fshatit.

Në deklarimet e tij vetë i pandehuri ka pranuar faktin se ka pasur konflikte me viktimën, por ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij duke e konsideruar ngjarjen aksidentale, me pretendimin se i kishte rrëshqitur makina dhe goditur 68-vjeçarin Mark Gjeta.

Por pretendimet e tij nuk janë marrë në konsideratë nga organi i akuzës, ndërsa tashmë do të jetë gjykata që do të japë vendimin për këtë çështje. Vrasja me makinë ndodhi pasditen e 17-shkurtit të vitit 2021 në fshatin Bungaj të Bashkisë Mirditë.

Fillimisht u dyshua për aksident, por pas veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes dhe dëshmive të marra rezultoi se ngjarja ishte e qëllimshme. Goditja e fortë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarit Mark Gjeta, ndërsa policia e gjeti në banese dhe prangosi autorin.

Mark Gjeta dhe Mhill Gega kishin punuar për disa kohë në të njejtën ndërmarrje dhe kishin qenë shokë me njëri tjetrit, por marrëdhëniet e tyre nisen të acarohen për motive tërësisht banale, pasi viktima e tallte dhe ofendonte autorin. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!