Me një mobilizim të përgjysmuar, “Jelekët e Verdhë” mbajtën të shtunën e pestë të protestave kundër rritjes së taksave. Edhe këtë herë u verifikuan përleshje me policinë dhe akte dhune, por me përmasa shumë më të vogla se të shtunat e kaluara, që futën vendin në kaos.
Franca përjetoi të shtunën e pestë të protestave të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”, e karakterizuar këtë herë nga një pjesëmarrje e tkurrur dhe një rënie e ndjeshme e akteve të dhunës.
Tubimi i 15 Dhjetorit u mbajt pavarësisht fjalimit të presidentit Makron, që më herët gjatë javës premtoi uljen e taksave dhe rritjen e rrogës bazë për qytetarët. Mediat franceze aludojnë se, shkak për pjesëmarrjen e ulët në atë që është pagëzuar si “Akti i Pestë” u bënë i ftohti dhe frika nga ndonjë sulm terrorist, si ai që ndodhi të martën e kaluar në Strazburg.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në mbarë vendin u mobilizuan rreth 66 mijë demonstrues, shumë më pak se 126 mijë që ishin të shtunën e kaluar. Ndërsa për ruajtjen e sigurisë, qeveria kishte angazhuar 69 mijë pjesëtarë të forcave të policisë, 8 mijë prej të cilëve vetëm në Paris. Në kryeqytetin francez, sipas gazets “Le Monde”, në rrugë ishin rreth 4 mijë protestues, 7 mijë më pak se një javë më parë.
Prej tyre, 168 vetë u arrestuan, nga të cilët 115 u mbajtën në burgim. Në Bordo, ku protestuesit ishin 4.500, pati përleshje mes manifestuesve dhe policisë, e cila arrestoi 14 prej tyre. në rrethana të ngjashme, në Nant rreth 1.200 vetë u përplasën me forcat e sigurisë, e cila përdori gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën.
Deri në orën 18 e 30, në qytet kishte 17 të arrestuar. Në Tuluz, shifrat analoge ishin 4.500 dhe 29, ndërsa në Lion 1 mijë me 7. Ndërkohë llogaritet se deri më sot në protestat e “Jelekëve të Verdhë” janë regjistruar 7 viktima, e fundit prej të cilave të premten në një bllokadë të protestuesve në kufirin franko-belg./abcnews.al