Vrasja e policia, autori 21-vjeç u largua me makinë pasi kreu krimin, i dënuar për drogë, si doli nga qelia

schedule11:56 - 28 Shtator, 2021

schedule 11:56 - 28 Shtator, 2021

Policia ka dhënë detaje në lidhje me autorin e vrasjes së Saimir Hoxhës, efektivit të policisë në Lezhë Aldi Rama 21-vjeç. Ai ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe mbajtje të armëve të ftohta. 2 vite më parë Rama është dënuar me pesë vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij është shkurtuar me 1/3, dhe i është konvertuar me shërbim prove.

Pasi ka qëlluar më armë zjarri në drejtim të Hoxhës dyshohet se ai është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes. Gazetari Gjergj Figuri raporton për ABC se pasi është larguar pak nga zona, i riu ka braktisur makinën pranë një biznesi brenda zonës së Lagunës për t’u arratisur më pas në këmbë. Policia ka nisur krehjen e zonës, pasi dyshohet se ai nuk është larguar shumë nga vendngjarja.

“Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldi Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale”, njofton policia.

Efektivi u qëllua paraditen e sotme në zonën e Vainit në Lezhë, ku ai ndodhej në krye të detyrës në terren për parandalimin për kultivimin e lëndëve narkotike. Saimir Hoxha baba i dy fëmijëve ishte nga Puka dhe prej vitesh punonte si efektiv policie në Lezhë dhe në Shëngjin. Ai dyshohet se kishte informacione se brenda lagunës Kunë-Vain ku dhe u qëllua me armë zjarri, kultivohej lëndë narkotike. m.v/abcnews.al