Kurti në konferencë me Ramën: Të hiqen barrierat mes dy vendeve, mbledhim qeveritë në nëntor

schedule10:41 - 27 Shtator, 2021

schedule 10:41 - 27 Shtator, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me homologun e tij Edi Rama në Prishtinë ka vënë theksin te heqja e barrierave mes dy vendeve.

Pavarësisht përplasjeve me Ramën për “Open Balkan”, Kurti u zotua për rritjen e bashkëpunimit mes dy qeverive dhe theksoi se tregu duhet të jetë sa më unik. Sipas tij pikërisht tregu i unifikuar është më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën se për çdo vend tjetër në rajon. Kurti zbuloi gjithashtu se biseduan me Ramën për mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet në gjysmën e dytë të nëntorit.

“Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen progresit në Shqipëri. Për realizimin e tyre qeveria e Kosovës dhe unë mbetemi në gatishmëri. Dy qeveritë tona kanë mundësi për të realizuar projektet që pritet nga qytetarët. Duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazim dhe mirëqënie. Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave është e domosdoshme. Do të punojmë që tregu të jetë sa më unik.

Nëse ka vende ku kjo duhet të bëhet sa më shpejt është Kosova dhe Shqipëria jo vetëm që e njohim njëra tjetër por kemi besim të plotë. Biseduam për të gjitha fushatat e qeverisjes dhe në veçanti u zotuam që e shohim si të rëndësishëm sinkronizimin gjithandej. Biseduam edhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të dy qeverive tona. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor. U dakorduam që të kemi edhe një sekretariat për marrëdhëniet tona bilaterale, që të udhëhiqet nga Gentian Sala,” tha Kurti.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!