Flamur Noka e cilësoi një thikë pas shpine jo vetëm ndaj PD-së, por edhe bazës së saj, vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar liderin historik të kësaj partie, Sali Berishën. I ftuar në “Log.”, Noka, një mbështetës i Berishës që prej momentit kur Basha publikoi vendimin, ai tha se i vjen keq kur del dhe kundërshton publikisht kryetarin aktual, i cili sipas tij duhej ta çonte partinë drejt fitores dhe jo në situata të tilla.
Noka doli sot para mediave duke thënë se organet drejtuese të PD-së do të mblidhen për përjashtimin e Bashës, jo për të dalë kundër vendimeve të Departamentit të Shtetit.
“Qoftë dalja sot qoftë të gjithë zhvillimet politike pas linçimit të liderit të PD-së, janë të gjitha dalje të dhimbshme. Askush prej nesh nuk e ka menduar apo imagjinuar që do të vinte një, ku kryetari i PD do t’i bënte forcës politike të tij atë që nuk arritur t’ia bënte asnjë nga kundërshtarët ndër vite”, tha Noka.
Deputeti demokrat tha se Lulzim Basha e mori vendimin natën dhe pa u konsultuar me organet drejtuese të PD-së.
“Kjo ndodhi në shkele të rëndë të Kushtetutës së partisë. Kjo është një thikë pas shpine për PD. Berisha është personalitet historik për tranzicionin e këtyre 30 viteve. Emri i Berishës lidhet me sukseset e kësaj force politike në këto tre dekada. Emri i Berishës ka një ndikim absolut të baza e PD-së.
Unë e kam të vështirë të besoj që Basha nuk e ka ditur që me këtë vendim po e fut PD-në në një qorrsokak që do ta kishte zili çdo kundërshtar i yni. Çdonjërit prej nesh i dhemb kur sheh forcën e tij në këtë gjendje. Madje të dhemb dyfish kur këtë situatë e ka kirjuar kryetari i partisë. Ne prisnim nga Basha të na çonte drejt fitores”, tha Noka në “Log.”. /abcnews.al