Kurti takon Nikollën: Vendimi për reciprocitet me Serbinë është i drejtë, nuk ka pasur asnjë incident

schedule16:44 - 22 Shtator, 2021

schedule 16:44 - 22 Shtator, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të mërkurë ka pritur në një takim kryeparlamentaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në këtë takim ato kanë biseduar për situatën aktuale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.

Kryeparlamentarja Nikolla e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe i dëshiroi suksese në realizimin e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë të qytetarëve.

Ajo e falënderoi kryeministrin për ndihmën që shteti i Kosovës ia ka ofruar Shqipërisë gjatë tërmetit të gati para dy viteve dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta. Kryekuvendarja Nikolla tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Republikës së Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë për mediat bëhet me dije se kryeministri Kurti e ka përgëzuar Nikollën për zgjedhjen kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe u pajtua që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse siç tha ai, janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb. Po ashtu tha se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

“U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase, tha kryeministri, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare”, vijon njoftimi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!