Trajneri bardheblu, Orges Shehi foli për Supersport pas barazimin me Egnatian dhe u shpreh: “Me atë që bëmë meritonim më shumë. Terreni për skuadrën që jemi na penalizon. Na përsëritet fakti që pësojmë shpejt pasi shënojmë.
Bëmë maksimumin për të shënuar, edhe me të rinjtë, Gjumsin dhe Kukën. Rastet? Anulimi i golit të Seferit mendoj se është i drejtë, por kam dyshime për rastin e Ngoo në fund, kur mund të kishte penallti. Mendoj se VAR duhet ta konsultonte këtë rast.
Është penallti sade. Na ka hedhur gjithë djersën poshtë. Hoti vjen nga kampionat tjetër dhe do kohë për përshtatje. Xhixha ka bërë mirë, nuk jam i pakënaqur me të. Në fund kishte konsumuar dhe e ndërrova. E nisëm 4-3-3 dhe dolëm më pas 4-2-3-1.
Kërkuam të fusim dy anësorët brenda, ia dolëm, por duhet të ishim më mirë në finalizim. Mos harrojmë se Çelhaka na ka prishur shumë punë. Limaj ka cilësi shumë ofensive dhe shtyn para. Kemi deficit në mesfushë, por do vazhdojmë dhe do bëjmë më të mirët për t’u përshtatur.
Terreni sot ishte armiku numër 1 i joni dhe ky episod i fundit më pas na hoqi fitoren. Të mësohemi se futbolli ka tre rezultate. Të jemi më agresivë dhe të shfrytëzojmë rastet që mund të ndryshojnë fatin e ndeshjes”, tha Shehi. /abcnews.al