Saimir Pirgu, ishte i ftuar special në finalen e edicionit të 20 të festivali Kënga Magjike, ku u duartrokit gjatë nga publiku. Në një intervistë për ABC Neës ai rrëfen momentet e veçanta të jetës artistike të këtij viti si dhe disa prej projekteve të vitit të ardhshëm, përfshirë edhe Tiranën.
Tenori me famë botërore, Saimir Pirgu, është në kulmin e tij të karrierës artistike, veçantia e tij vokale dhe mjeshtria e interpretimit skenike vlerësohen nga kritiket me ne ze, por ajo çfarë të bën gjithnjë përshtypje është modestia e këtij artisti të vërtetë.
“Duhet konstancë. Duhet gjithmonë punuar fort. Janë fjalë që të gjithë i thonë, por ka disa që i respektojnë dhe disa jo. Mua më duhet t’i respektoj sepse jam në momentin e duhur dhe do ishte vërtetë keq nëse unë nuk do i jepja rëndësinë e duhur këtij momenti”, tha ai.
Sekreti i suksesit të tij është zbatimi i regjimit me përpikmëri, ai është i mendimit se talenti nuk mjafton, por puna gjithnjë shpërblehet.
Albumi “Il mio canto”është pritur mjaft mirë jo vetëm në promovimin e koncerteve në disa vende të botës, përfshi edhe vendin e tij në Shqipëri si dhe shitjetnë i-Tune. Pirgu thotë se ka nisur të mendoj për një projekt tjetër.
“Projekti tjetër do fillojë së shpejti. Nuk dua të zbuloj asgjë, por do jetë një projekt akoma më i madh se ky i pari, por duhet pak kohë. Duhet të përgatitet kalendari im i shfaqjeve. Mua më duhet pak kohë që të regjistroj dhe mënyrat e regjistrimit janë më të shpejta, por ne nuk kemi ndryshuar mbetemi akoma të avashtë”, theksoi ai.
Bilanci i vitit 2018 rezulton një sukses i vërtetë, që në Janar të 2018-s, ai u gjet në kopertinën e revistës së njohur zviceriane “Musik&Theater”. Ndërkohë që kritika vlerëson maksimalisht tenorin Saimir Pirgu për rolin e Pinkertonit tek “Madam butterfly” ai na veçon disa produksione, të cilët janë mirëpritur edhe nga kritika, por edhe në publikun në sallë edhe këtë të fundit të Traviatës në Paris.
“Ka gjithmonë projekte që dalin gjithmonë mirë, ka të tjerë që dalin më mirë se ç’i ke pritur. Njëri nga këto ishte dhe ai i Butterfly-it që unë nuk mendoja që të kishte kaq sukses në Zyrih. Por edhe të tjerë, “Romeo dhe Zhuljeta” nga Parisi, produksioni ka pasur një sukses, të transmetuar bujshëm dhe nga kritikët, dhe nga publiku që çdo natë është duke duartrokitur e brohoritur. Çdo ëndërr, çdo kujtim, çdo punë e bukur të ketë rëndësinë e duhur dhe të mbetet atje te ai vendi që dua unë në zemrën time, kështu që kur realizoj një shfaqje jam i kënaqur, por mendoj gjithmonë për të ardhmen. Është një rrugë ku nuk duhet të shikoj asnjëherë mbrapa, vetëm para”, tha ai.
Duartrokitja e publikut është shumë e rëndësishme për të.
“Ne jemi artistë, ne për atë duartrokitje punojmë kështu që është ajri i jonë”, u shpreh ai.
Vitin 2019, tenori i famshëm e nis me ballon e maskave.
“Jam në teatrin e Parmës me “Ballon e maskave”. Filloj vitin në vendin ku jetoj”, tha tenori.
Por kur do të vijë Saimir Pirgu sërish para publikut shqiptar, pasi edhe dy duetet e kënduara në këngën magjike u duartrokitën gjatë dhe dukshëm publiku e do dhe i mungon “Këputa një gjethe Dafinë” dhe” “Kur them ajo”.
“Kam publikut të Shqipërisë dhe Tiranë sidomos, borxh katër shfaqje. Kam qenë tepër i sëmurë në Japoni dhe nuk mund të vija, por do flas me drejtoreshën e TKOB që unë të kthehem sa më shpejt me projektin e duhur. Unë do bëj më shumë shfaqje që edhe ato katër shfaqje që nuk pata mundësi të kënaq publikun që kanë mall dhe dëshirën për të dëgjuar”, tha ai.
Saimir Pirgu ka interpretuar në rolet kryesore të shumë operave në botë, por ai gjithnjë deshiron që ta pasurojë repertorin me role të reja. Tenori shqiptar deri në 2022 e ka axhendën e mbyllur./abcnews.al