River Plate arriti të fitonte trofeun Copa Libertadores për të katërtën herë. Në një ndeshje plot emocione, të luajtur në Madrid kundër rivalëve historikë, Boca Juniors, ata arritën të fitonin me rezultatin 3-1. Në fakt, 90 minutat e rregullta të lojës u mbyllën me rezultatin e barabartë 1-1. Të parët që shënuan ishin lojtarët e Boca-s me anë të Benedetto-s në fund të pjesës së parë. Ndërkohë barazimi erdhi 12 minuta pas nisjes së pjesës së dytë me anë të Lucas Pratto-s.
Në fillimin e pjesës së parë të kohës shtesë u dënua me karton të kuq Barrios, lojtar i Boca-s. Kjo mjaftoi që e gjithë River të dalë në sulm dhe të kërkojë golin në “Santiago Bernabeu”. Ai që bëri bëri të festojnë si të çmendur tifozët e River ishte Juan Quintero, i cili në minutën e 109 shënoi një gol pas një goditje jashtë zonës. Ndërkohë Gonzalo Martinez shënoi në minutën 120 golin e tretë duke vulosur kështu fitoren për skuadrën e tij.
Ndeshja midis dy skuadrave argjentinase u realizua në Madrid për shkak të dhunës që shpërtheu në kryeqytetin e Argjentinës, ku tifozë të River Plate sulmuan autobusin ku udhëtonin lojtarët e Boca Juniors. Qëllimi i zyrtarëve ishte që ndeshja të luhej në një vend larg Argjentinës në mënyrë që mos të krijoheshin trazira të tilla. Sidoqoftë ky vendim pati dhe kritika, pasi shumica e tifozëve nuk udhëtuan prej çmimit të lartë të udhëtimit drejt kryeqytetit spanjoll./abcnews.al