Superliga ka ende edhe dy ndeshje për të mbyllur javën e parë. Ditën e nesërme do të luhen, Egnatia – Kukësi dhe Kastrioti – Dinamo.
Do të jenë ndeshje interesante pasi dy nga këto 4 ekipe janë debutuese, e padyshim që Dinamo ngjall një kuriozitet të madh për t’u parë.
Nuk mbetet prapa, Egnatia – Kukësit, debutuesit përballë veriorëve të rifreskuar dhe rikarikuar për këtë sezon të ri. Pikërisht para kësaj ndeshjeje ka folur kapiteni i Kukësit, Gjelbrim Taipi ku është shprehur se pavarësisht se janë ekip i ri, objektivat mbeten të njëjta.
“Jemi ekip i ri dhe me trajner të ri, por objektivat janë të njëjta. Jemi pak lojtarë nga sezoni i kaluar. Kur nisi faza përgatitore ishte pak e vështirë, pasi erdhën gati 20 lojtarë. Gjithsesi trajneri ka bërë një punë të mirë, duke bërë që të integrohen shpejt”.
“Unë kapiten? Kam thënë edhe më parë se është kënaqësi të jesh kapiten i një ekipi si Kukësi, që ka luajtur në Europë. Ka pasur kapitenë si Musolli, Hallaçi, Shameti apo Agim Ibraimi.
Me të tjerët nuk kam mundur të luaj, por nga Ibraimi kam mësuar se çfarë do të thotë të jesh kapiten. Kam marrë gjëra të bukura dhe do të mundohem t’i zbatoj”.
“Gara? Herët për të folur për rivalitet. Të gjithë kanë bërë afrime dhe janë 7-8 ekipe ne garë për titull. Gjithçka do t’ia lëmë kohës”, pwrfundoi kapiteni i Kukwsit. /abcnews.al/