Nënë e një vajze të mitur, kjo është 23-vjeçarja që ish-bashkëshorti i mori jetën në Fier

schedule09:46 - 11 Shtator, 2021

schedule 09:46 - 11 Shtator, 2021

Një vrasje e paralajmëruar tronditi Fierin mbrëmjen e djeshme. Sabrina Benga vetëm 23-vjeçe nënë e një vajze të mitur, u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj, 31-vjeçar Elton Metaj. Policia disa orë pas krimit ka mundur të arrestoj autorin e kësaj ngjarje tronditëse që i mori jetën të resë.

Ky krimi dukej se ishte i paralajmëruar, pasi një vit më parë në shator të 2020-ës, Elton Metaj me një kallash në dorë kishte shkuar në oborrin e shtëpisë së ish-bashkëshortes dhe më pas kishte kërcënuar se do kryente vetëvrasje. Në atë kohë u deshën rreth 5 orë negociata nga policia që 31-vjeçari Elton Metaj të lëshojë kallashnikovin dhe të mos kryente aktin ekstrem. Ai pas kësaj ngjarje u burgos, për tu lënë më pas i lirë në korrik të këtij viti.

Ende nuk dihet se si Elton Metaj u la i lirë, duke ditur rrezikshmërinë e tij dhe kapjen që policia i bëri me kallashnikov. Mesa duket asgjë nuk e ka penguar 31-vjeçarin që të kryej krimin dhe t’i marrë jetën nënës së vajzës së tij.

Ndërkohë Armando Bengaj, vëllai i viktimës ka treguar për gazetarët si ka ndodhur ngjarja. Ai është shprehur se e motra, kishte qenë duke ngrënë bukë pasi sapo ishte kthyer nga puna, kur në derë të shtëpisë së prindërve në Zhupan të Fierit, ku ishte rikthyer prej një viti, kishte shkuar ish-bashkëshorti dhe më pas e kishte qëlluar Sabrinën për vdekje./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!