Berisha kujton ’90-n: Ose lironi studentët, ose sheshin do ta bëjmë copash

schedule10:59 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 10:59 - 8 Dhjetor, 2018

Me rastin e Ditës së Rinisë, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, në ceremoninë e nderimit të Lëvizjes së Dhjetorit të ’90-s kujtoi se ai revolucion mishëronte doktrinën e rilindasve tanë.

“Revolucioni demokratik i viteve ‘90 kishte platformën më të ndritur në të gjithë historinë kombëtare, mishëronte në një doktrinën e rilindasve tanë, Shqipëria zonjë në Europë. I pamposhtur, do t’i dërrmonim në datën 9 tek Liceu Artistik. Është Azem Hajdari që formoi ultimatumin. Ose lironi studentët, ose sheshin do ta bëjmë copash. Është Azem Hajdari i cili bëri gjithçka për kryekërkesën e pluralizmit demokratik, e miratoi në këtë shesh, në një miting, tashmë të mbushur plot me studentë. Idealet e Dhjetorit janë fryma më e pastër e Shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Berisha iu bëri thirrje studentëve që protestojnë prej disa ditësh për kushte më të mira në universitete që të mos dëgjojnë manipulatorët, por të ngjallin shpresat te shqiptarët.

“Të dashur studentë dhe studente prej katër ditësh kemi një Dhjetor të dytë. Si asnjëherë tjetër universitete e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci, nga greqishtja më i keqi i të këqinjve dhe ky regjim është i Edi Ramës. Ky regjim ka përqëndruar në dorë të gjitha pushtetet. Ky regjim ka varfëruar e largon shqiptarët nga Shqipëria njëlloj si ‘91 sepse ka vrarë shpresën, në çdo sheshe, rrugë, vatër qelizë të shoqërisë shqiptare. Studentët po ngjallin shpresat e shqiptarëve dhe unë duke u shprehur atyre të gjithë mbështetjen, duke u bërë thirrje shqiptarëve t’i mbështesin me gjithë fuqinë e tyre, iu bëj thirrje të mos dëgjoni ato manipulatorë që ju kërkojnë t’ju shkëpusin nga shoqëria. Ata manipulatorë që duan t’iu paraqesin ju se po protestoni për një gjobë apo për një tjetër. Po ju rikujtoj vetëm një fjalë. Në takim me Ramiz Alinë, ky burrë këtu do të thoshte që jam këtu për një çaj më shumë dhe sonte jeni në protestë, protestoni për prindërit tuaj, për nënat tuaja, për vëllezërit tuaj, për motrat tuaja, për interesat e tyre, interesat e shoqërisë shqiptare, ju protestoni për ato motive që protestuan ata studentë në vitin’ 90: Drejtësi sociale, drejtësi sociale, drejtësi sociale”, u shpreh Berisha./abcnews.al