Partizani e kërkonte gjatë gjithë verës një sulmues dhe e gjeti më në fund në limitet e merkatos. Zgjidhja është gjetur në Slloveni, ku është pikasur kroati Andrija Filipovic.
24-vjeçari vjen në dispozicion të Ilir Dajës dhe do ketë mjaft peshë në skuadër sepse është i vetmi qendërsulmues tipik në skuadër. Ai është regjistruar që më datë 5 shtator, por Partizani zgjodhi ta zyrtarizojë sot. Klubi tregon më shumë detaje rreth sulmuesit të ri.
NJOFTIMI – Zyrtare! Andrija Filipovic lojtari më i ri i partizanit. FK Partizani prezanton afrimin më të ri Andrija Filipovic. Sulmuesi kroat ka firmosur një kontratë dy vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me të kuqtë.
24-vjeçari bashkohet të kuqve pas eksperiencës pozitive te kampionët e Sllovenisë NS Mura ekip me të cilin regjistron 32 ndeshje duke shënuar edhe 4 gola.
Filipovic gjithashtu ka qenë pjesë e kampionatit holandez në radhët e NAC Breda, ndërsa përgjatë karrierës është aktivizuar te Rijeka, Gorica, Siena, Spezia dhe Juventus U-19. Sulmuesi ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses së Kroacisë U-19. /abcnews.al

