Mënyra e arrestimit të disa studentëve në Francë ka shkaktuar polemika të shumta. Agjentët kanë ulur në gjunjë 146 të rinj me duart pas koke pas një përleshje ku u dogjën disa automjete.
Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer thotë se është shokuar nga pamjet filmike të 146 të rinjëve të arrestuar përpara liceut “Saint-Exupery” në një zonë të Parisit. Megjithatë ai rikutojntoi dhe kundërshtimin e dhunës që ka çuar në organizimin e këtij operacioni nga ana e policisë. Komisari Arnaud Verhille kishte njoftuar për agjencinë e lajmeve AFP se 146 persona janë arrestuar përpara një shkolle pas përleshjeve që ishin verifikuar në këtë zonë periferike të kryeqytetit, ku gjatë së cilave disa automjete ishin djegur.
Por polemikat janë zgjeruar dhe morën një tjetër rrjedhë pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte kjo video që tregon studentët e mbledhur në një vend përpara shkollës, të ulur në gjunj me duart prapa kokës. Ndërsa afër tyre qëndrojnë agjentët e policisë së armatosur.
Këto imazhe nuk kaluan pa u vënë re dhe kanë ndezur debatin politik në Francë. Nga e majta konsiderohet skandal, kurse një deputet i Partisë së presidentit Emmanuel Macron i përkufizoi tronditëse pamjet dhe siguroi që maxhoranca do të jetë e para që do dënonte gabimet e kryera nga forcat e rendit. “Cilat janë akuzat? Asgjë nuk e justifikon këtë poshtërim të minorenëve”, tha sekretari i parë i Partisë Socialiste franceze, Oliver Faure. Ndërsa pjestarë të tjerë të opozitës në vend kërkuan shpjegime për këtë skenë shokuese nga autoritetet përkatëse. /abcnews.al