Plagosi me thikë 6 persona në një supermarket, policia ekzekuton agresorin në Zelandën e Re

schedule16:24 - 3 Shtator, 2021

schedule 16:24 - 3 Shtator, 2021

Një emigrant i frymëzuar nga grupi Shteti Islamik goditi me thikë gjashtë persona në një supermarket në Zelandën e Re të premten, para se policia, që ishte në ndjekje të tij, ta qëllonte për vdekje, tha kryeministrja Jacinda Ardern.

Zonja Ardern tha se autori i sulmit, një shtetas i Sri Lankës, i cili emigroi në Zelandën e Re në vitin 2011 dhe ishte në listën e mbikqyrjes për terrorizëm, hyri në një qendër tregtare në qytetin Auckland, mori një thikë nga dyqani dhe filloi të sulmonte njerëzit.

Ajo tha se gjashtë persona u plagosën, tre prej tyre në gjendje kritike, para se policia që po e monitoronte, të hapte zjarr brenda 60 sekondave nga fillimi i sulmit.

“Ajo që ndodhi sot ishte e neveritshme, një ngjarje e urryer dhe veprim i gabuar,” tha kryeministrja duke shtuar se ngjarja nuk kishte përfaqësonte asnjë besimi apo komunitet.

E pyetur për motivet e sulmuesit, ajo tha: “është një ideologji e dhunshme dhe e frymëzuar nga ISIS-i”.

Komisioneri i policisë Andrew Coster tha se autoritetet ishin të sigurta se sulmuesi po vepronte i vetëm dhe nuk kishte asnjë rrezik të mëtejshëm për komunitetin.

Sulmi më i rëndë terrorist në Zelandën e Re ndodhi në mars të vitit 2019 në një xhami në Christchurch, kur një person i armatosur, supremacist i bardhë, vrau 51 besimtarë myslimanë dhe plagosi rëndë 40 të tjerë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!