Mbjelljet e pemëve janë shndrruar edhe në një dhuratë për ditëlindje. Kështu ka ndodhur në liqenin artificial të Tiranës ku nuk mungoi edhe mesazhi i kryebashkiakut Erion Veliaj për të gjelbëruar sa më shumë Tiranën.
Surpriza brenda një familje të kryeytetit nuk kaloi në hije, për më tepër kur flitet për mbjellje pemësh. Në 75-vjetorin e lindjes, vajza kishte vendosur ti bënte një dhuratë ndryshe babait të saj me mbjelljen e tre fidanëve në një nga shtigjet ku prindërit, Ilia e Maria prej vitesh shëtisin çdo ditë. Surprizë mbi surprizë u bë ditëlindja e Ilia Dukës në Tiranë kur iu shfaq edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Jam shumë i lumtur që e nisëm ditën mbarë me një surprizë për mikun tonë, Ilia, që është një djalë i ri, por me letra sot ka 75-vjetorin. Jam shumë i lumtur që Blerina dhe Maria, dy vajzat e shtëpisë, organizuan këtë surprizë. Nuk besoj se kishte mënyrë më të mirë se kjo për t’i dhuruar tre pemë parkut tonë, në një rrugë të cilën Ilia dhe Maria e përshkojnë çdo ditë në ajër të pastër”.
Në ditëlindjen e Ilias kryebashkiaku foli edhe për ndryshimet që ka pësuar parku i liqenit.
“Unë e mbaj mend si ka qenë ky territor: komplet i zaptuar, me ndërtime pa leje, me shkatërrime dhe degradim. Ishte vendim i vështirë, u desh të prishnim disa struktura, por ja ku jemi sot! Vendi është më i bukur dhe shijohet nga të gjithë, nga 1 milion banorë, jo vetëm nga 2-3 që kishin zaptuar hapësirën këtu. Sot jam shumë mirënjohës sepse në fund të ditës pemët që kam përballë dhe pemët që kemi mbrapa janë mbjellë nga njerëz të thjeshtë, jo nga kompani, por ashtu siç i vajti mendja Blerinës për të kujtuar ditëlindjen e babait duke mbjellë tre pemë. Ky qytet është sukses i njerëzve të thjeshtë”.
Kryebashkiaku ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe qytetarët e tjerë. Ai shtoi se një qytetar i mirë nuk është vetëm ai që paguan taksat apo respekton semaforin, por edhe ai që bën më shumë se sa vetëm minimumi, duke mbjellë një pemë apo duke kontribuar si vullnetar në dobi të komunitetit./abcnews.al