Parlamenti ka votuar ligjet e paketës fiskale në kuadër të buxhetit të vitit 2019, mes të cilave edhe ligji për tatimin mbi të ardhurat. Ky i fundit ka ngjallur debate si në komisionin e ekonomisë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist përpara seancës, por edhe gjatë miratimit të tij nen për nen dhe në tërësi, lidhur me ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat për pagat, deri në 40,000 lekë të reja.
Parlamenti ka rrëzuar me 64 vota propozimin për zerimin e tatimit mbi të ardhurat personale deri në vlerën 40,000 lekë. Propozimi i cili ngjalli diskutime mes ministrit të financave dhe kreut të qeverisë nga një anë, dhe kreut të komisionit të ekonomisë Erjon Braçe në anën tjetër, ishte propozim i këtij të fundit.
“Ky vend ka nevojë që të mbrojë një fashë të ardhurash që janë të domosdoshme për çdo familje. Mjafton t’ju them që nga shuma e pagave të deklaruara gjatë vitit 2017 prej gati 19.8-20 miliardë lekësh, paga deri në 400 mijë lekë të vjetra zenë 2.5 përqind të gjithë totalit të vlerës së paguar. Si rroga, si të ardhura nga puna në këtë vend. Ndërkohë që të ardhurat nga pagat mbi 4 milionë lekë, zenë gati 20% të gjithë rrogave të paguara në Shqipëri. Kështu që unë mendoj që jemi në momentin e duhur për të filluar për t’u përballur me një problem shumë madhor, që ka të bëjë me pabarazinë”, tha Braçe.
Për ministrin Ahmetaj, arsyeja e refuzimit të amendamentit që do të hiqte taksën mbi të ardhruat për rrogat deri në 40,000 lekë, është rëndesa fiskale tashmë e krijuar mbi buxhetin e shtetit për shkak të lehtësirave mundësuar nga kjo qeveri.
“Janë 120 milionë bashkë me ndryshimin që po bëjmë sot 123 milionë dollarë në vit që shkojnë në xhepat e qytetarëve. 97 përqind e të punësuarve kanë ulje taksash dhe fasha nga 300 në 400 taksohet vetëm 1.89 përqind”, u shpreh Ahmetaj.
Ligji mbi tatimin mbi të ardhurat sot parashikon që rrogat nga 30,000 në 40,000 lekë tatohen deri në shifrën 3.25%.
“Deti nuk u bë kos. Këtu jemi dhe hap pas hapi do të bëjmë më shumë duke krijuar më shumë mundësi. Ndërkohë që pagat 300 deri në 400 mijë lekë është mirë ta kujtojmë, taksoheshin 10 përqind”, tha kryeministri.
Parlamenti rrëzoi gjithashtu propozimin e Erjon Braçes për tatimin në vlerën 0% të të ardhurave të vëna nga shitja e librave në mjediset tregtare, si dhe rritjen e tatimit mbi të ardhurat për kazinotë në hotele me 5 yje në masën 30%. /abcnews.al