Qeveria jep 33 milionë lekë për Emergjencat Civile

schedule16:14 - 25 Gusht, 2021

schedule 16:14 - 25 Gusht, 2021

Në mbledhjen e fundit të qeverisë “Rama 2”, Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë fondi prej 33 milionë lekësh për Emergjencat Civile. Shuma rishpërndahet në mënyrë të tillë, i hiqet programit “Forcat e luftimit” për të kaluar te Emergjencat Civile. Muaji gusht ka qenë tepër intensiv për strukturën e Emergjencave Civile si pasojë e vatrave të zjarrit që përfshinë vendin nga jugu në veri, teksa një pjesë janë akoma aktive.

VENDIMI I PLOTE

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, të bëhet rishpërndarje e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:
  2. a) Në programin buxhetor “Emergjencat civile” 10910 të shtohet fondi prej 33 000 000 (tridhjetë e tre milionë) lekësh në shpenzimet korente;
  3. b) Në programin “Forcat e luftimit” 02120 të pakësohet fondi prej 33 000 000 (tridhjetë e tre milionë) lekësh në shpenzimet korente.
  4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!