Autori i vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj të Kosovës dhe shoku që bashkëpunoi në kryerjen e krimit janë vendosur pas hekurave. Familjarët e bashkëpunëtorit kanë folur për mediat në Kosovë lidhur me ngjarjen e rëndë.
Në një rrëfim për “Indeksonline”, ata tregojnë versionin e tyre të ngjarjes për Arbërin, i cili lindi në Osby (afër Malmos) me nënshtetësi suedeze, 32 vjeç i martuar me dy vajza. Sipas tyre, ai u vetëdorzua, pasi vajza e ndjerë, Marigona Osmani, u dërgua pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.
Familjarët tregojnë se Arbëri ishte bashkëpunues me autoritetet e sigurisë. Madje, sipas tyre, ai parandaloi vrasjen e dytë që e kishte planifikuar ta bënte Dardan Krivaqa. Ky i fundit, kishte synim ta vriste djalin e dajës, pasi sipas pretendimeve të Krivaqës, Marigona e kishte tradhtuar atë.
Avokatja e Arbërit, Arbnora Shefkiu, deklaroi se klienti i saj ka pranuar që të bashkëpunojë me organet e rendit që të zbardhet rasti. “Pasi jam konsultuar me të dyshuarin me të njëjtin jemi pajtuar që mos ta kundërshtojmë kërkesën për caktimin e paraburgimit, me qëllim që e njëjta të shërbej në zbardhjen më të shpejt dhe më të mirë të gjithë ngjarjes se si ka ndodhur vrasja e tani të ndjerës Marigona Osmani. Po ashtu i pandehuri ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunoj me gjitha organet në zbardhjen e rastit”.
Shefkiu tha se klienti i saj është ndjerë jashtëzakonisht keq për rastin. “Klienti im ka shprehur keqardhje për rastin. Ai gjatë shqyrtimit të rastit ka qarë”. Ajo theksoi se sipas deklarimeve të klientit të saj ai nuk ka marrë asnjë veprim. Por, avokatja tha se kjo mbetet të shihet nga organet e drejtësisë./ Abcnews.al