Konflikti mes biznesmenëve në Korçë, arrestohet djali i njërit prej tyre

schedule14:40 - 24 Gusht, 2021

schedule 14:40 - 24 Gusht, 2021

Policia e Korçës ka vënë në pranga një 33-vjeçar që u përfshi në konfliktin mes dy biznesmenëve në Malin e Marovës në Korçë. Në flagrancë është arrestuar pas deklaratave të marra e pas këqyrjes së pamjeve filmike, E. M., 33 vjeç, banues në Korçë.

Në pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, i riu shihet duke i drejtuar armën në kokë 26-vjeçarit Anri Reli. Ky i fundit më pas ka plagosur me sende të mprehta e të forta babain e 33-vjeçarit i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kurse, Reli u arrestua në flagrancë nga Policia menjëherë pas ngjarjes së ndodhur për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

NJOFTIMI

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, në afërsi të një kompleksi në Malin e Moravës, Korçë, ku u plagos me sende të mprehta e të forta shtetasi S. M., 68 vjeç, banues në Korçë, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje” të djalit të tij shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Korçë.

Nga deklarimet e marra dhe nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, shtetasi E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, e ka kanosur këtë të fundit me një send, në dukje si armë zjarri tip pistoletë. Shtetasi A. R., më pas ka plagosur me sende të mprehta e të forta, babain e 33-vjeçarit, shtetasin S. M., i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë këtij konflikti ka marrë dëmtime të lehta edhe shtetasi E. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi A. R., u arrestua në flagrancë nga Policia menjëherë pas ngjarjes së ndodhur për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Materialet në ngarkim të shtetasve​ E. M dhe A. R., i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për hetime të mëtejshme.