“U martuan para 2 muajsh”, familjarët e vajzës së vrarë në Ferizaj: Pyetëm për djalin, s’na thanë fjalë të mira

schedule10:49 - 24 Gusht, 2021

schedule 10:49 - 24 Gusht, 2021

Marigona Osmani, 18-vjeçarja që u dhunua për vdekje në Ferizaj, kishte rreth dy muaj që ishte e martuar me të riun që i mori edhe jetën. Ajo është dërguar pa shenja jete në urgjencë të dielën mbrëma nga 29-vjeçari Dardan Krivaça dhe nga 32-vjeçari Arbër Sejdiu i cili është vënë në pranga.

Pasi e lanë vajzën, ata u larguan nga vendi i ngjarjes. Emri i Dardanit ishte i njohur për qytetarët në Ferizaj, edhe para se ai të kërkohej si i dyshuar për keqtrajtimin deri në vrasje të partneres së tij, raporton Gazeta Express.

Prej vitesh thonë se ka qenë problematik dhe me precedntë. Megjithatë, familja e Marigonës i kishte dhënë “bekimin” martesës së tyre, pasi, sipas dajës së vajzës, nëna e Dardanit u kishte thënë se çifti duhen dhe se nuk do të kenë probleme.

Daja i të ndjerës, tha për Gazetën Express se vajza nuk është ankuar se ka pasur probleme me partnerin e saj.

“Unë jam daja. Dje e kemi marrë vesh dikur rreth orës 22:00, nuk kemi ditë diçka që ka ndodh. Por në bazë të informatave, e kemi marrë vesh që është mbesa jonë. Kemi ardhë këtu, kemi bisedu me familjen. Kjo është e vërtetë, ajo është martu që 2 ose 3 muaj…Vajza nuk ka tregu kurgjë që ka raporte të këqia, por në bazë të rrethanave, si dajë, kemi pyet kush është filani (burri i saj). Nuk kanë folë fjalë të mira, që është njeri i sjellshëm ose djalë i mirë, por e paska pas fatin…U njoftu me të, u martu, kur ka ardhë në shtëpi, se kam qëllu unë këtu një herë ose dy, më kanë thënë dajë mirë jemi duke kalu. Diçka që me thanë që s’po shkon mirë, s’na ka tregu”, tha ai për Gazetën Express.

Por, ai thotë se babai vajzës e ka parë nga sytë e Dardanit se çifti po fshehin diçka.

“Por, në bazë të babës së saj, se ky e ka pyet qysh po kalon, ajo ka thënë mirë, por po thotë se e ka vërejt në bazë të syve të atij djalit se ka pas diçka të fshehtë”, u shpreh ai më tej.

Daja i viktimës pohon se 18-vjeçarja kishte nisur një punë, por e kishin larguar nga puna pasi morën vesh se ishte partnerja e Dardanit.

“Janë martu, banesën e kanë pas qaty, ja kish pas nis vajza me punu diku një javë apo dhjetë ditë më një vend, por për çka u largu prej punës nuk muj me ditë. Fjalë të popullit, e kanë hetu që është femra e filanit dhe e ka largu, se s’ka desht me pas probleme me të”, tha ai. /abcnews.al/