Do të zhvillohet në stadiumin e Realit të Madridit, finalja e Kupës Libertadores. River Plate dhe Boca Juniors përcaktojnë titullin në datën 9 Dhjetor.
Nuk mund të kishte vend më të mirë për ta luajtur. Një stadium kampionësh për të përcaktuar titullin kampion të Amerikës së Jugut, pra në finalen e kupës “Libertadores”. River Plate dhe Boca Juniors do të ndeshen në “Santiago Bernabeu”, në 9 Dhjetor, për sfidën fundore që do të vendosë fituesin e trofeut më të madh amerikanolatin. Kështu bëri me dijë përfaqësuesi i Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, pas marrëveshjes që u arrit me Realin e Madridit.
“Madridi është një nga qytetet më të sigurt në botë dhe ka komunitetin më të madh argjentinas në Europë, – tha presidenti Alehandro Domingez, – Kupa Libertadores nuk e humb identitetin e saj po u luajt në Spanjë”.
Finalja e dytë ishte parashikuar të luhej në stadiumin “Monumental” të River Plate në Buenos Aires, por u shty e pastaj u anulua, pas sulmit që tifozët vendas i bënë autobusit me lojtarët e Boca-s, ku u lënduan disa futbollistë. Boca kërkoi ta fitonte trofeun në tavolinë, por kjo u hodh poshtë, ndërsa Riveri mori gjobë me vlerë 400/000 USD.
U diskutua që finalja të luhej në Paraguaj ose në Katar, por përfundimisht u vendos në Madrid. Ndeshja e parë, Boca-River përfundoi 2-2, ndërsa fituesi i kupës “Libertadores” do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klubet, që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 12 deri në 22 Dhjetor./abcnews.al