“Stema më e rëndësishme se emrat mbi fanellë, për Milanin luaj edhe në portë”

schedule18:14 - 21 Gusht, 2021

schedule 18:14 - 21 Gusht, 2021

Alessandro Florenzi është i lumtur për kalimin te Milani. Kuqezinjtë arritën akordin me Romën për huazimin e 30-vjeçarit (1 milion euro), të cilin mund ta blejnë përfundimisht nëse paguajnë edhe 4.5 milion euro të tjera te verdhekuqtë në fund të sezonit.

Lojtari italian, i cili fitoi Euro 2020 me kombëtaren e kaltër në korrik, ka zgjedhur fanellën me numër 25, aktivizohet në të gjithë rolet e krahut të djathtë dhe në raste të nevojshme mund të luajë edhe në mesfushën e ekipit të Stefano Piolit.

Pas prezantimit zyrtar, Florenzi foli për herë të parë si milanist, ku ndër të tjera tha: “Milani më kërkoi me ngulm dhe unë do të jap gjithçka për këtë ekip. Roma ka 2-3 vite që ka zgjedhur të më menjanojë.

Të gjithë e dinë që jam tifoz i Romës, kjo nuk është sekret, ishte e dhimbshme, por u detyrova ta pranoj vendimin e tyre. Gjithsesi, tani jam te Milani, ndihem mirë që kam ardhur te një skuadër që ka besim tek aftësitë e mia.

Historia e Milani na detyron të luajmë çdo sezon në Champions League, kjo është ajo që duan drejtuesit dhe tifozët. Natyrisht që edhe ne lojtarët e duam një gjë të tillë. Do të përpiqem të ndihmoj klubin dhe skuadrën të marrë vendin që meritojnë.

Kam gjetur një klub të përgatitur. Titulli? Plot shtatë skuadra do të luftojnë për fitimin e Serie A, ne thjesht duhet të kemi të ngulitur në kokat tona dëshirën për fitore“, deklaron Alessandro Florenzi, i cili flet edhe rolit të tij në fushën e blertë.

Do më duhet pak kohë të përshtatem, por jo shumë sipas mendimit tim. Unë jam një lojtar që gjithmonë e kam vënë veten në dispozicion të skuadrave. Do të jem gjithmonë gati, do të luaj edhe në vend të Maignan nëse do të jetë e nevojshme.

Stema që ke përpara në fanellë ka më shumë rëndësi se sa emri që mban mbi fanellë… “, përfundoi lojtari më i ri i Milanit, i cili bashkë me Davide Calabrian “blindon” linjën e djathtë të skuadrës së Milanit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!