Ish-avokati i Trump pranon fajin

schedule22:38 - 29 Nëntor, 2018

schedule 22:38 - 29 Nëntor, 2018

Ish-avokati i Donald Trump ka pranuar se ka gënjyer Kongresin amerikan kur është marrë në pyetje për çështjen “Russiagate”. Pranimi i fajit mund të thellojë telashet për Michael Cohen, i cili për të shpëtuar mund të detyrohet të tregojë më shumë për marrëdhëniet Trump-Rusi.

Ish-avokati i presidentit Donald Trump, Maichael Cohen ka pranuar se ka gënjyer Kongresin amerikan në lidhje me hetimin mbi ndërhyrjen ruse. Cohen, 52 vjeç, pranoi se kishte keqinformuar ligjvënësit në lidhje me projektin e Trump për të investuar në Moskë. Ai u shfaq papritur të enjten në gjykatën federale të Manhatanit, ku pranoi përgjegjësinë.

Në Gusht, Cohen u vetëdeklarua fajtor për shkelje të ligjeve financiare gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, për faktin se u kishte dhënë fshehurazi para mikeshave të presidentit për të heshtur për marrëdhëniet e tyre me të. Zhvillimi i së enjtes shënon një tjetër hap në hetimin e drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Muller, që synon të hedhë dritë mbi përpjekjen e përfolur ruse për të influencuar zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë.

Teksa la Shtëpinë e Bardhë për samitin e G20-s në Buenos Aires, presidenti Trump u tha gazetarëve se Kohen ishte një person i dobët dhe aspak inteligjent, që po gënjen për të përfituar një shkurtim të dënimit. Gjatë seancës së të enjtes, Cohen pranoi se kishte bërë deklarata të rreme në Kongres në lidhje me marrëdhëniet e Trump me rusët. Ai tha se kishte gënjyer për një projekt investimi të Organizatës Trump në Moskë.

“I bëra ato deklarata të rreme për të qenë në të njëjtën linjë me mesazhet politike të Individit numër 1 dhe për shkak të besnikërisë ndaj tij”, tha Cohen para trupit gjykues.

Me termin “Individi numër 1” Cohen i është referuar gjithmonë presidentit Trump. Dikur një besnik i tij, avokati u mor në pyetje në tetor nga hetuesit e Kongresit në një seancë me dyer të mbyllura. Burime të rezervuara thanë për agjencinë “Reuters” se gjatë dëshmisë së tij, juristi kishte minimizuar kontaktet e tij me përfaqësues rusë në lidhje me projektin e Trump në Moskë, një projekt që gjithsesi nuk rezulton i regjistruar askund./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!