Vetëm tre ditë pas zjarrit të vënë qëllimisht, është shpronësuar godina e Sarajeve të Toptanëve në Tiranë.
Kjo godinë e shpallur monument kulture tashmë i ka kaluar bashkisë së Tiranës, ndërsa vendimi është botuar edhe në fletoren zyrtare.
Sipas vendimit, pronarët do të marrin një vlerë monetare prej 178 694 456 (njëqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.
Po ashtu mësohet se është shpronësuar edhe Muzeu Etnografik i Tiranës, “Sarajet e Libohovitëve”. Për këtë godinë vlera totale paraprake e shpronësimit është 505 843 802.6 (pesëqind e pesë milionë e tetëqind e dyzet e tre mijë e tetëqind e dy pikë gjashtë) lekë.
LEXO EDHE:U dogjën “Sarajet”, njëra nga pronaret: Tani radhën e ka Muzeu Etnografik
Kujtojmë se godina shekullore e Sarajeve tre ditë më parë u sulmua me zjarr nga dy persona ende pa identifikuar. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë hetuesit kanë mundur të identifikojnë 2 autorët, por për shkak të hetimit nuk bëhet ende me dije identiteti i tyre.
Burime nga policia thonë se autorët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga kamerat e sigurisë është parë se ata kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës dhe pasi I vunë flakën ambienteve të katit të parë u larguan me shpejtësi.
Në pamjet e sekuestruara, shfaqen dy persona që mund të jenë përfshirë në zjarrvënien e monumentit të kulturës. Nga hetimet ka rezultuar se autorët kanë përdorur një bidon me benzinë. Një prej tyre , që shfaqet në këtë video largohet me vrap pak sekonda pas zjarrvënies.
Si pasojë e flakëve është dëmtuar edhe pjesa e tavanit e ndërtuar kryesisht me bazë druri. Burime nga policia me dije se, flakët janë pikasur nga roja i një biznesi aty pranë që më pas ka njoftuar edhe forcat zjarrfikëse. Për shkak të ndërhyrjes së shpejtë zjarri është vënë nën kontroll duke shmangur djegien dhe shkatërrimin e totale të godinës./abcnews.al/