Analistët në Maqedoni: Maj, kalendari real për ndryshime në Ballkan

schedule18:37 - 29 Nëntor, 2018

schedule 18:37 - 29 Nëntor, 2018

Analistët në Maqedoni janë të bindur se mesi i muajit maj i vitit të ardhshëm do të jetë dhe momenti i vërtetë kur mund të priten ndryshime reale në Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor sikur sheh një dritë në fund të tunelit, sidomos kur është fjala për shtetet shqiptare, ku interesi i përbashkët i vendeve të rajonit është integrimi në institucionet ndërkombëtare. Por sa janë reale këto deklarime dhe çfarë pasojash mund të sjellë e gjithë kjo situarë e krijuar, në Klan Debat të kolegut Seladin Xhezairi debatuan studiuesi dhe ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa me analistët politikë Albert Musliu dhe Lirim Dullovi. Studiuesi dhe Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, vlerëson se kalendari real për t’u zgjidhur problemi i Ballkanit Perëndimor është 15 Maji i vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian.

Ylber Hysa, ish ambasador i Kosovës: “Ky kalendar vlen për rajonin, vlen për Kosovën sidomos, por vlen edhe për Maqedoninë, si që e dini, edhe për palën në marrëveshje me Maqedoninë e Greqinë, pra flasim për një kalendar dhe është një përpjekje reale, edhe me këto vizita që i ka bërë presidenti Thaçi në SHBA që janë të nivelit të lartë, edhe në Paris që i përmendët, kështu vizita kemi pasur shumë kohëve të fundit, të cilat flasin për një kalendar real, për një termin kohor real, i cili do të respektohet, ose, do të shfrytëzohet ose jo”.

Për dallim nga e kaluara, tani shqiptarët kanë një partner strategjik, dhe sipas analistit politik Albert Musliu, ajo që aktualisht duhet, është zhvillimi i elitave politike në vendet e rajonit.

Albert Musliu, analist: “Nëse e sheh prej ku kemi nis e ku kemi ardhë, situatën e kemi shumë më të mirë sesa atë që e kemi pas vitin e 90-të, as kemi pas partner strategjik, përveç miqësisë kombëtare strategjike të cilën e kemi pas me SHBA-të. Lidhur në relacion me Europën, ne kemi qenë një komb i margjinalizuar, i stigmatizuar, dhe popull i cili jo rrallë herë falë diplomacive të disa shteteve fqinje, edhe në veri edhe në jug, ka qenë i anatemuar, popull i egër i pazhvilluar edhe si popull me të cilën nuk vlen të bashkëpunohet”.

Gjendja e shqiptarëve është më e mirë se sa kemi qenë, por shumë më keq se sa kemi mundur të jemi, thotë Analisti politik Lirim Dullovi i cili vlerëson se shqiptarët nuk e kanë kuptuar mirë çështjen e shtetbërjes dhe se faktori ndërkombëtarë ka bërë më shumë për ne sesa ne për veten.

Lirim Dullovi, Analist: “Jemi shumë më keq se sa kemi mund të jemi, unë mendoj se kjo është shkak i dy faktorëve, një, mosgatishmëria, mospasja e kapaciteteve tona për ta kuptu seriozisht rolin tonë në ndërtimin e shteteve tona”.

Ylber Hysa vlerëson se dështimi i Kosovës në Interpol nuk ka qenë rezultat i angazhimit të diplomacisë serbe, por një moment gjeopolitik.

Ylber Hysa, ish ambasador i Kosovës: “Është pikërisht ky moment nëpër të cilin po kalojmë, gjeopolitik, në të cilin për shembull, me siguri sfida ka qenë të bllokohet kandidati rus për të qenë shef i Interpolit, s’ka qenë angazhimi për t’i ndihmuar Kosovës për t’u futur në Interpol, aty besoj ka qenë kalkulimi ose keqkalkulimi në të cilin është futur Kosova në agjendë, pikërisht kjo është ajo botë për të cilën u mundova të flas dhe e cila po ndryshon. Me siguri ma merr mendja në këtë botë të trazuar ka qenë për dikë më me rëndësi që ta bëjë kandidatin nga Koreja e Jugut shef të Interpolit sesa ta bëjë Kosovën anëtare të Interpolit”.

Në debatin e mbrëmshëm, studiuesit dhe analistët politikë debatuan edhe rreth aktualitetit politik në Maqedoni e Kosovë, me theks të veçantë rreth arratisjes së ish-Kryeministrit Nikola Gruevski në Hungari si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë pas vendosjes së taksës për produktet serbe nga ana e autoriteteve të Kosovës./abcnews.al