Panuçi rrezikon largimin nga kombëtarja

schedule16:24 - 27 Nëntor, 2018

schedule 16:24 - 27 Nëntor, 2018

Kristian Panuçi nuk e ka aspak të sigurt postin e trajnerit të kombëtares. ABC News mëson se presidenti Duka po kërkon një pasardhës në Itali dhe Kroacia.

Fitoi ndaj Uellsit dhe u duk se e keqja kaloi. Kristian Panuçi u mendua se e siguroi stolin e kombëtares të paktën deri në verë, pasi presidenti Duka deklaroi publikisht mendimin e tij.

“Kjo nuk do të thotë që ne në këtë kohë të marrim vendime të nxituara. Trajneri ka të mirat dhe këqijat e veta këto ndeshje. Ne do vazhdojmë të mbështesim trajnerin dhe stafin në eliminatoret e Europianit”, tha Duka.

Gjithsesi, të mos nxitohemi, pasi kërkimi për një trajner të ri po vazhdon me këmbëngulje. Burime tepër të besueshme në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë për ABC News se Duka dëshiron ndryshim, dhe se trajneri i ardhshëm do të jetë përsëri i huaj.

Numri 1 i Federatës është në bisedime në Itali dhe në Kroaci, e ndonëse nuk jepen emra konkretë, burimet e mësipërme theksojnë se preferenca është sërish për një italian. Pas De Biazit dhe Panuçit, Duka mesa duket dëshiron të ketë vazhdimësi, për të mos krijuar konfuzion tek futbollistët. Në mediat italiane është përmendur emri i Alberto Malezanit, veçse ai është 64 vjeç dhe presidenti i Federatës dëshiron trajner me moshë më të re.

Gjithsesi, ekziston mundësia që kombëtarja të mund të drejtohet përkohësisht nga një trajner shqiptar, deri në gjetjen e një të huaji. Disa javë më parë, ABC News informoi se Duka ishte kthyer tek pista shqiptare, dhe më pas doli emri i Bledar Kolës, i cili e refuzoi detyrën. Burimet në Federatë bëjnë me dijë se presidenti ka humbur besimin tek Panuçi, dhe arsyet kryesore janë mungesa e një formacioni stabël dhe e mënyrës së duhur të lojës./abcnews.al