Teuta beson te fitorja ndaj Shamrock Rovers. Kampionët e Shqipërisë u thyen 1-0 në transfertë ndaj rivalëve irlandezë, teksa nesër zhvillojnë ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Conference League në “Elbasan Arena”, duke nisur prej orës 20:00.
Krahas zv trajnerit Bledar Hodo, përpara mediave u shfaq edhe kapiteni Renato Arapi. Mbrojtësi 34-vjeçari analizoi duelin e dytë ndaj kampionëve të Irlandës.
“Shamrock nuk është skuadër e nivelit të dytë, është një skuadër shumë mirë e organizuar, që ka lëvizje të automatizuara, por edhe ne kemi një skuadër cilësore dhe kompetitive. Pjesa më e madhe e lojtarëve kanë eksperiencë në Kupat e Evropës.
Besoj që do bëjmë një ndeshje duke tentuar kualifikimin. Është një ndeshje që të gjithë e dimë që do dendësi, do qarkullim të shumtë të topit dhe ndërrimin e shpejtë të krahëve. Shpresoj t’ia arrijmë, të paktën për këtë gjë jemi përgatitur këto ditë.
E kemi treguar në Kupat e Evropës, por edhe gjatë kampionatit, edhe gjatë sezonit të kaluar, që në çdo moment që kemi pasur luhatje, kemi arritur ta kthejmë në favorin tonë shumë shpejt. Shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe nesër.
Ndeshja e parë? Kishim objektiv të ishim kujdesshëm, sidomos pas, kjo edhe falë faktit që nuk e njihnim kundërshtarin. Rezultoi pozitive deri në minutën e 91-të, kur pësuam atë gol. Ndeshja e nesërme do të jetë tjetër gjë.
Fillimisht duhet të mundohemi të shënojmë golin e parë, pastaj duke parë e duke bërë. Rëndësi ka të nisim lojën siç duhet dhe jo të futemi në trysni që duhet të shënojmë golin sa më parë medoemos. Kjo mund të sjellë çekuilibrim në fushë.
Kemi shumë lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën. Nesër do i jepet më shumë përparësi sulmit, gjithmonë duke ruajtur edhe ekuilibrat. Sebino (Plaku) ka bërë gjithmonë diferencën në ekipet ku ka qenë, por mos harroni që kemi edhe një Kallak që mund të bëjë diferencën në çdo moment.
Në këtë moment është pozitiv fakti që luajmë në ‘Elbasan Arena’. Është një terren që të lejon të luash lojën shpejt dhe poshtë, sepse është një terren shumë i mirë. Besoj se kjo do na favorizojë. U bë kaq kohë që luajmë ndeshje në Elbasan, e njohim fushën shumë mirë dhe kemi të ambientuar.
Kualifikimi? Për hir të së vërtetës, niveli i kampionatit shqiptar ky është. Nuk do presim të kalojmë me lehtësi deri në grupe. Çdo ndeshje ka vështirësi në kompeticionet evropiane.
Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne të kalojmë nesër, sidomos për klubin, sepse është hera e parë që shkon në turin e tretë. Do jetë diçka e madhe nëse e kalojmë edhe turin e tretë“, përfundoi Arapi. /abcnews.al