Kriza financiare dhe ndryshimet e shpejta të tregut kanë detyruar kolosin amerikan të automjeteve “Xheneral Motors” të marrë masa drastike për të reduktuar humbjet. Kompania e njohur ka paralajmëruar mbylljen e fabrikave dhe shkurtimin e mijëra vendeve të punës për shkak të rënies së shitjeve.
Gjigandi amerikan i automjeteve “General Motors” ka në plan të ndërpresë prodhimin në 5 fabrika në Amerikën e Veriut dhe rrjedhimisht të shkurtojë mijëra vende pune. Ikona e automobilizmit në Shtetet e Bashkuara në njoftimin e saj ka bërë të ditur gjithashtu se do të mbyllë edhe 3 impiante jashtë Amerikës brenda vitit 2019. Lëvizja vjen pas rritjes së kostove, rënies së shitjes së automjeteve dhe në një kohë kur prodhuesit e tjerë janë të fokusuar në prodhimin e kamionëve, makinave elektrike dhe tek ato që vetëdrejtohen. Kompania ka deklaruar se plani i hartuar do ta ndihmojë të kursejë rreth 6 miliardë dollarë.
Shkurtimet përfshijnë një reduktim prej 15 për qind të numrit të punonjësve, 25 për qind prej të cilëve drejtues seksionesh. Në 5 impiantet e ngritura në Amerikën e Veriut punojnë aktualisht rreth 7 mijë persona. “Vendimet janë pjesë e strategjisë sonë të transformimit, për të qenë më fleksibël ndaj tregut dhe natyrisht për të pasur mundësi për të investuar në të ardhmen”, ka deklaruar drejtuesja ekzekutive e “General Motors”, Meri Barra. Ajo ka theksuar se kompania duhet të përshtatet me ndryshimet e tregut dhe preferencat e konsumatorëve, në mënyrë që të arrijë një sukses afatgjatë. Konkretisht, kompania do të ndërpresë prodhimin e modeleve “Buik La Kros”, “Shevrolet Volt” dhe “Shevrolet Impala”, “Kadillak” CT6 dhe XTS, si dhe versionet e vjetra të Silverado dhe Sierra. /abcnews.al