Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kryeministrja e parë grua në Marok/ El Mansouri fiton zgjedhjet dhe merr drejtimin e vendit

schedule13:35 - 30 Shtator, 2026

schedule 13:35 - 30 Shtator, 2026

Maroku shënon një moment historik në politikën e vendit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministre, duke u bërë gruaja e parë që merr drejtimin e qeverisë marokene. 50-vjeçarja u emërua nga mbreti Mohammed VI, pasi Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit, pjesë e së cilës është El Mansouri, fitoi zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar.

Partia siguroi 97 nga 395 mandatet në parlament, pa arritur shumicën absolute prej 198 mandatesh. Për këtë arsye, kryeministrja e re do të duhet të negociojë krijimin e një koalicioni për formimin e qeverisë. Emërimi i El Mansourit vjen përpara kandidaturës së figurave të tjera të rëndësishme të partisë, mes tyre edhe Fouzi Lekjaa, drejtuesi i futbollit maroken.

Me këtë emërim, El Mansouri bëhet gjithashtu gruaja e dytë në botën arabe që drejton një qeveri, pas Najla Bouden në Tunizi. E diplomuar për drejtësi në Francë, El Mansouri ka një karrierë të gjatë politike. Në vitin 2009 ajo u bë kryebashkiakja e parë grua e Marrakeshit dhe e mori sërish këtë detyrë pas zgjedhjeve të vitit 2021. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ministre dhe deputete, ndërsa në vitin 2024 u ngjit në nivelet më të larta të drejtimit të partisë.



El Mansouri iu bashkua Partisë së Autenticitetit dhe Modernitetit në vitin 2008, një vit pas krijimit të saj. Partia u themelua nga Fouad Ali el-Himma, mik i fëmijërisë dhe këshilltar i afërt i mbretit Mohammed VI. Në Marok, një monarki kushtetuese, mbreti ruan kompetenca të rëndësishme politike. Sipas Kushtetutës, kreu i qeverisë emërohet nga monarku, por duhet të jetë pjesë e partisë që renditet e para në zgjedhjet parlamentare.

Ky rregull u përfshi në ndryshimet kushtetuese të vitit 2011, pas protestave të Pranverës Arabe, të cilat kërkonin reforma politike dhe kufizimin e disa kompetencave të monarkisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!