Myrto Uzuni vazhdon me formën e tij të madhe në Ligën e Parë të Kroacisë. Futbollisti beratas shënoi një tjetër gol, ndërsa po ndihmon Lokomotivën e Zagrebit që të kualifikohet për në Europë.
Nëse ka të ardhme kombëtarja e Shqipërisë, ai është një nga arsyet që të bindin. Myrto Uzuni, 23-vjeçari nga Berati, e tregoi edhe një herë vlerën e tij, në Ligën e Parë të Kroacisë, duke shënuar një tjetër gol. Lojtari ofensiv realizoi golin e barazimit 1-1, në ndeshjen e skuadrës së tij, Lokomotiva e Zagrebit, ndaj Osijekut, dhe festoi duke bërë shenjën e shqiponjës. Edhe pse Lokomotiva nuk arriti të fitonte, por barazoi 2-2 në fushën e saj, sëfrish kjo nuk e zbeh aspak paraqitjen e shqiptarit.
Uzuni ka shënuar 3 gola deri tani në kampionatin kroat, duke qenë një nga më të mirët për skuadrën e Zagrebit që mban vendin e dytë në renditje, duke pasur pretendime për t’u kualifikuar të paktën për në Ligën e Europës. Po ashtu, ai ka dhënë pasime goli, nga të cilët ka përfituar edhe shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati, që ka realizuar deri tani 7 rrjeta. Uzuni cilësohet si tepër i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, me trajnerin Panuçi që e vlerëson shumë, ashtu si edhe Eros Grezdën. Pasi luajti 7 herë për ekipin Shpresa, beratasi tani është bërë pjesë e ekipit përfaqësues, për të cilin pritet të japë kontribut të madh./abcnews.al