Kaos i plotë në Argjentinë për finalen e Kupës Libertadores. Ndeshja u shty përsëri, pasi lojtarët e Boca Juniorsit nuk ishin në gjendje për të luajtur, pas dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Ishte e qartë se ajo që ndodhi nuk do të kalonte aq lehtë. Finalja e dytë dhe vendimtare e Kupës Libertadores u pezullua përsëri, dy ditë pasi dhuna nuk lejoi që ajo të luhej sipas programit. Plot 70 000 tifozë të River Plate kishin mbushur stadiumin e tyre, “Monumental” në Buenos Aires, por derbi i kryeqytetit nuk u zhvillua, pasi rivalët e Boka Juniorsit nuk ishin dakord. Ata protestuan dhe u deklaruan se nuk ishin në gjendjen e duhur psikologjike pas sulmit që iu bë autobusit të tyre nga tifozët kundërshtarë, ndërsa ai afrohej në stadium.
Në atë sulm, autobusi u godit me sende të forta, dhe disa futbollistë u lënduan, si dhe ndjenë shqetësime të mëdha nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia ndaj tifozëve të Riverit. U quajt një “kryengritje” e lojtarëve të Boca-s, dhe ishte e pamundur që ata të bindeshin për të dalë në fushë. Për më tepër, Boca kërkon zyrtarisht që, për shkak të incidenteve të rënda, të merret vendim që finalja të mos luhet dhe që kupa t’i jepet në tavolinë. Nëse kjo nuk ndodh, të paktën të luhet në një stadium tjetër.
River Plate ndërkaq shpreson që vendimi të jetë që trofeu të përcaktohet në fushë. I takon Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, që të vendosë se çfarë do të bëhet, me finalen e kompeticionit kryesor të kontinentit për klubet. Po ashtu, presidentët e dy klubeve pritet të takohen këtë javë për të arritur një marrëveshje. Mediat në Argjentinë ishin të dorëzuara.
Gazeta “Klarin”: Rebelimi i Boca-s e lë pa afat finalen më të shumëpritur!
“Ole”: Nuk dihet kur do të luhet! Superfinalja pezullohet sërish. Boca nuk dëshiron ta luajë dhe kërkon t’i japin Kupën. River shpreson ta luajë në shtëpi. Vendos Federata e Amerikës së Jugut!
Finalja e parë e Kupës Libertadores, e Championsit të Amerikës së Jugut, përfundoi 2-2 në stadiumin e Boca Juniors, “La Bombonera”./abcnews.al