Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektoi banesat sociale ku do të sistemohen banorët që preken nga ndërtimi i unazës së re. Veliaj i bëri thirrje banorëve të aplikojnë dhe të mos përdoren politikisht.
Banesat sociale në Shkozë janë bërë gati për të mikpritur familjet e para, të cilat preken nga gjurma e unazës se madhe. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi kushtet që ofrojnë këto banesa dhe u bëri thirrje banorëve të aplikojnë pranë njësive të tyre administrative.
“Në kohë rekord janë bërë gati apartamentet, janë blerë duke nisur nga frigoriferët, tek televizorët, tek çdo nevojë bazë që ka një familje. Ajo që kam parë është që këto kushte këtu janë në fakt disa herë më të mira se sa shtëpitë që po lënë, shtëpiza pa leje, barraka pa leje, ndërkohë marrin sot një ofertë shumë më të mirë se sa ajo që lanë. Fillimisht, kjo rezervohet për të gjithë familjet që kanë aplikuar në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë asnjë dokument, ndërkohë që të tjerët do marrin shpronësimin. Ftesa ime është, sipas njësive 6, 7 apo Kasharit, apo 11 aplikoni për banesa sociale”.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje banorëve të zonës së unazës të mos përdoren politikisht, ndërsa shigjetoi Partinë Demokratike dhe kryetarin Basha.
“Sot duhet të marrin një vendim, do kërkojnë të ardhmen dhe fatin e tyre, apo do rrinë të kërkojnë të ardhmen dhe fatin e Lulit. Luli ka shtëpi edhe me kat shtesë pa leje, që e dha vetë kur ishte në bashki, në Tiranë. Shtëpi në Lalëz, shtëpi në Hollandë. Këto të tria që dihen. Luli i ka rregulluar punët e veta. Pyetja është: Do të rregullojmë edhe punët e banorëve? Bashkia e Tiranës është për të rregulluar punët e banorëve, jo punët e partive. Për ata deputetë që parkojnë me “Range Rover” dhe si hobi vijnë dhe protestojnë duke sjellë dhe protestues shëtitës, besoj se fundi është i qartë. Projektet do vazhdojnë, Tirana nuk ndalet, progresi do ecë përpara.”
Aktualisht sipas Bashkisë së Tiranës për të përfituar banesë sociale kanë aplikuar 15 familje të cilat do të jenë të parat që do të zhvendosen në apartamentet e reja në Shkozë. /abcnews.al