Zjarret vijojnë të jenë një ndër sfida kryesore e ditëve të fundit për të gjithë.
Ministria e mbrojtjes në raportin e saj të fundit bën me dije se vijojnë të jenë problematike disa vatra zjarri në veri dhe në jug të vendit.
Në veri të vendit vatrat më problematike janë ato në Majën e Rrunës dhe në Qafën e Kumbullës, ku në ndihmë të forcave zjarrëfikëse të vendit kanë ardhur edhe nga Kosova.
Sipas ministrisë problematike mbetet situata në vatrën mbi fshatin Dukat, e cila ishte stabilizuar më herët, por ka pasur një rindezje të flakëve.
Ndërkohë operacioni po vijon nga toka dhe nga ajri. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik banesash.
“Disa vatra zjarri në veri dhe në jug të vendit janë më problematike, aktualisht në të gjithë territorin.
Po vijon me intensitet puna nga toka dhe nga ajri për shuarjen e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mundësuar izolimin e vatrës tek zona Qafa e Kumbullës, ndërsa FSK e Kosovës janë përqendruar nga ana e Lakut të Mollës, e cila vijon të jetë aktive me intensitet të lartë, në pjesën që është në kufi me Pukën. Edhe pjesa e zonës nga Laku i qershive vijon të mbetet problematike. Terreni i pjerrët dhe shkëmbor ndërlikon punën e forcave nga toka, por nuk ka rrezik për banesa dhe situata po ndiqet nga strukturat e posaçme.
Forcat nga toka dhe nga ajri janë përqendruar në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës, ku po punohet për ndërprerje të përhapjes së flakëve dhe normalizimin e situatës. Pjesa në anë të tunelit është nën kontroll, ndërsa pjesa tjetër e malit vijon të ketë prani flakësh.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Munellë dhe Domgjon. Forcat që janë në terren janë të përqendruara duke mbajtur të izoluar anën e fshatit Domgjon. Momentalisht vatra e zjarrit ka një shtrirje të madhe në terren të thyer dhe është i vështirë izolimi në tërësi i saj. Në terren po punojnë edhe efektivë të FA për ta mbajtur nën kontroll, në mënyrë që të mos kalojë në zonë të banuar.
Po ashtu problematike mbetet situata në vatrën mbi fshatin Dukat, e cila ishte stabilizuar më herët, por ka patur një rindezje të flakëve. Operacioni po vijon nga toka dhe nga ajri. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik banesazh
Ka vijuar të jetë aktive një vatër në fshatin Patalej të Lezhës, ku forcat po punojnë për të izoluar një pjesë zjarri në drejtim të rrugëve të fshatit. Nuk ka rrezik për banesa edhe në këtë zonë.
Zjarret në Krushovë, Gjonomadh dhe Leshnjë në bashkinë Korçë si dhe zjarri në zonën e quajtur Guri i Nikës në bashkinë Pogradec po mbahen nën kontroll nga forcat në terren dhe teri tani nuk paraqesin problem.
Po mbahen nën monitorim vatra e riaktivizuar në sipërfaqen me shkurre në Malin e Tomorrit, në zonën shkëmbore mbi “Teqenë e Kulmakut”, fshati Ujanik, për të eleminuar rindezjet nga era dhe trungjet e ndezur.
Në qarqet Gjirokastër, Fier, Dibër, Tiranë, Elbasan dhe Shkodër situata paraqitet pa probleme“, thuhet në njoftimin e ministrisë.e.su./abcnews.al