Forcat zjarrëfikëse nga Kosova kanë mbërritur në Kukës ku pritet që të vijojnë aksionin për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë sipërfaqe të madhe toke mbi tunelin e Kalimashit.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka mbërritur sëbashku me trupat e forcave zjarrëfikëse për të vijuar punën për të vënë nën kontroll situatën.
Ndër të tjera ai ka bërë me dije se pritet që nesër të mbërrijnë dhe forca të tjera zjarrëfikëse nga Kosova.
“Situata në Kosovë është qetsuar dhe tashmë kemi mundësi që të ndihmojmë vëllezëri tanë jo vetëm në Kukës por kudo që janë. Ne kemi mobilizuar 34 zjarrëfikës, po presim që të na bashkëngjiten dhe trupa të FSK-së së Kosovës. Nesër presim që të na bashkohen dhe forca të tjera. Do të pritet që të zbardhë dita për të bërë të mundur dhe neutralizimin e flakëve. Trupa tonë do të rrinë sa të jetë e nevojshme dhe ne të kemi kapacitet dhe të ndihmojmë,”, ka thënë ai.
Ndërkohë nga ana tjetër drejtori i Departamentit të Zjarrëfikëseve në Kosovë, Hasan Kodra në fjalën e tij ka bërë me dije se në Kukës tashmë kanë mbërritur automjetet zjarrëfikëse dhe pritet që të mbërrijnë dhe forcat e FSK-së.
Ai ka theksuar se janë 33 zjarrëfikës, 9 mjete zjarrëfikëse për terren malor dhe pajisje me furnizuese auto cisterna që janë në gadishmëri për neutralizimin e flakëve në Kalimash.e.su./abcnews.al